Kapshticë/Fëmijët thirrje shtetit: Na lejoni të kalojmë kufirin, nuk kemi as bukë as ujë
Pas situatës tragjike në Kakavijë, emigrantët shqiptarë janë bllokuar edhe në doganën e Kapshticës në Korçë. Policia ka ngitur një postbllok në afërsi të kësaj pike doganore dhe nuk i lejon qytetarët që të shkojnë drejt saj. Mbi 50 qytetarë kanë mbetur të bllokuar në këtë postbllok. Ata kërkojnë që qeveria të reagojë për këtë situatë.
Ata janë ndaluar të kalojnë nga policia për të mos krijuar radhë të gjata, por shprehen të shqetësuar se në vendin ku janë aktualisht nuk kanë as bukë të hanë. Në këtë rrugë, jo shumë larg nga pika kufitarë ka edhe fëmijë, të cilët përveçse duken të mërzitur kërkojnë edhe të ushqehen.
“Është shumë e vështirë. Nuk di çfarë të bëjmë. Nuk kemi as bukë as ujë, presim gjithë këto orë. Dua të kaloj”-shprehet një fëmijë, ndërkohë që e motra e saj deklaron “Kam disa orë dhe është e vështirë. Dua të kaloj kufirin. Ushqime nuk ka mjaftueshëm”.
Ndërkohë një nënë e cila kishte fëmijën përtej kufirit filloi edhe të qante. “Do qëndroj këtu përgjatë gjithë natës, jemi pa ujë dhe ushqime. Jam shumë e shqetësuar sepse kam fëmijën në Greqi”.