Karriera në FA,Kushtetuesja shqyrton ankimimin e Nishanit

Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e ankimit të Presidentit të Republikës ndaj ligjit për karrierën ushtarake të Forcave të Armatosura, i cili konsiderohet nga Kreu i Shtetit Bujar Nishani si antikushtetues dhe në shkelje të kompetencave të tij. Gjatë zhvillimit të seancës, përfaqësuesit e Presidencës e kanë cilësuar si tinëzar ligjin në fjalë, që sipas tyre synon që qeveria të vërë nën kontroll Forcat e Armatosura. Në argumentet e parashtruara nga Presidenca, roli i Kreut të Shtetit me ligjin e ri kthehet në një rol honorifik, duke e bërë ligjin në këtë mënyrë antikushtetues. Në këtë drejtim, Presidenca ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ligji të pezullohet deri në një vendim të dytë të kësaj gjykate. “Me këtë ligj synohet vënia nën kontroll e Forcave të Armatosura nga qeveria. Është antikushtetuese. Janë shkelur nene të Kushtetutës për karrierën e Forcave të Armatosura. Ligji i ri parashikon që roli i Presidentit është honorifik.

Në çdo rast, ekzekutivi duhet të konsultohet me Presidentin. Shkelen dhe anashkalohen pushtetet përveç shkeljes se Kushtetutës. Mënyra si është hartuar ligjji është tinëzare. Neni 7 i Kushtetutës përcakton qartë rolin e Presidentit që nuk është honorifik”, theksuan në seancë ankimuesit. Por, sipas përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, në ligjin e miratuar nuk ka asnjë të metë për procedurën e ndjekur nga hartimi e deri tek miratimi i ligjit për karrierën ushtarake. Sipas tyre, Presidenti kishte të drejtën të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje por nuk e bëri. Për përfaqësuesit e Kuvendit, pretendimi i Presidentit të Republikës për të qenë pjesë e ligjbërjes është e papranueshme. “Nuk ka asnjë të metë për procedurën e ndjekur nga Kuvendi për këtë ligj. Presidenti mund të thërriste dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje. Pretendimi i Presidentit se duhet te jetë pjesë e ligjbërjes është e papranueshme, ndërsa është ftuar në Kuvend për diskutime dhe për të dhënë mendim”, u shprehën përfaqësuesit e Kuvendit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?