Kartat e ID, Bylykbashi: Ramës i intereson të ulë pjesëmarrjen në zgjedhje
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një intervistë për RTV Ora ka kthyer edhe njëherë në kujtesë mungesën e ndërmarrjes së një plani për rinovim të kartave të ID.
Bylykbashi ka thënë se një situatë e tillë i intereson kryeministrit Edi Rama, sepse sipas tij kështu do të ulet pjesëmarrja e qytetarëve në votime.
Bylykbashi: Ne e kemi ngritur çështjen që në vitin 2018. Janë rreth 1.4 milionë karta që skadojnë. Pas 10 vitesh që ishin bërë për herë të parë në vitin 2009. A bëri gjë PS në atë kohë? Sepse është detyrë e pastër qeveritare dhe nuk ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Nuk mund të prodhosh karta duke ndryshuar Kodin Zgjedhor. A vendos kapacitete të mjaftueshme për thithjen e fluksit? A bën ndërgjegjësimin e nevojshëm për ndërgjegjësimin e nevojshëm të shtetasve që të pajisen në kohë përpara zgjedhjeve? A subvencionon çmimin, siç bëri Sali Berisha si kryeministër në atë kohë? Kur shtresat në nevojë paguajtën vetëm 200 lekë të reja, nga 1200 lekë që kushtonte karta.
PS për të kaluar lumin në 2019, për shkak të zgjedhjeve zgjati afatin deri në fund të 2019. Precedenti ekziston dhe që atëherë nuk kanë bërë asgjë. Ne e kemi ngritur edhe në Këshillin Politik në kuadër të Reformës Zgjedhore. Problem gjigant janë rreth 1 milionë karta që skadojnë në këtë periudhë përpara zgjedhjeve dhe nuk ka as shtim të zyrave për aplikim, nuk ka as ndërgjegjësim të qytetarëve, nuk ka as subvencionim të shtresave në nevojë dhe jemi vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve. Për fat të keq është edhe situata e pandemisë, ku radhët e gjata dhe të ngjeshura do të ishin një bombë për shpërndarjen e virusit. Njerëzit këtë e kanë frikë. Nëse në koston e jetës apo shëndetit janë votat, njerëzit mund të mos e bëjnë.
Qëllimi është sepse i intereson Edi Ramës që të ulë maksimalisht pjesëmarrjen në votim, sepse njerëzit nuk marrin kartat.