KAS rrëzoi kërkesën e PD-së, Ivi Kaso: Do vazhdojmë të kërkojmë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zona të caktuara
Partia Demokratike kërkonte vënien në dispozicion të informacioneve të shtuara nga institucionet publike lidhur me provat e mbledhura për shkeljet gjatë procesit të votimit.
Pasi kjo kërkesë nuk u pranua, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat tha se rrëzimi i kësaj kërkese nga ana e KAS, shkon në kundërshtim me transparencën dhe interesin e opinionit publik.
Ai tha se kërkesa që kishin bërë ishte e domosdoshme për të shkuar deri në fund provave për shkeljet zgjedhore, duke shtuar se nuk do të ndalonin dhe do të vijonin të përpiqeshin për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zona të caktuara.
“Provat tona dëshmojnë çdo shkelje të bërë gjatë procesit zgjedhor. Refuzimi që ju bë sot marrjes së provave, nga ana e KAS është më e domosdoshme se kurrë për të zbuluar masakrën e bërë në 25 Prill. Kërkesa dhe nevoja për administrimin e të gjitha provave sot është shumë e rëndësishme dhe vendimi i KAS-it është shkelje e çdo standardi zgjedhor që shkon kundrejt interesit të publikut shqiptar. Çdo veprim i KAS shkon në drejtim të kundërt me transparencën dhe me interesin e qytetarëve. Këto lidhen me shkeljet e bëra gjatë procesit të votimit. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë, për të shpallur të pavlefshme në zona të tjera zgjedhore. Nuk do të reshtim së bëri publike provat për shkeljet e bëra. Kërkojmë që institucionet të ngrihen në lartësinë e detyrës që nevojitet dhe të na japin informacione në lidhje me shkelje që ne mendojmë të jenë bërë gjatë procesit të votimit. Ne do të zhvillojmë çdo proces ankimor të hetimit për të shpresuar që KAS të mund të na vërtetojë që e kemi ne gabim, të na tregojë që pretendimet tona mund të jenë paragjykime”- deklaroi Ivi Kaso.