Kaso: Garancia për procesin e numërimit preket në mënyrë të njëanshme nga PS. Këto janë kushtet që PD të jetë sërish në Këshillin Politik

Sekretari për çështje Zgjedhore në Partinë Demokratike Ivi Kaso në studion e ABC News më gazetaren Juli Xhokaxhi, foli për dy çështje të rëndësishme në politikën shqiptare. Listat dhe koalicionet.

Ai u shpreh se kjo qeveri nuk synon të realizoje zgjedhje në nivel standard.

“Ndryshimi i koalicioneve parazgjedhore ka qenë fokusi. Edi Rama është i mirëpritur të bëjë publik vizionin që në një kohë kaq të shkurtër të ndryshohet Kodi Zgjedhor, në masën më të madhe të tij. Të paktën 60%”, tha Kaso.

Kaso gjatë intervistës me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se tashmë nuk ka kohë për të bërë eksperimentet dhe për të hequr dorë nga garancitë që sipas tij tashmë janë të provuara.

Çfarë prodhon tjetër hapja 100% e listave?

Kaso: Ka shumë momente që duhen sqaruar. Kemi një kod zgjedhor që është ligj edhe material edhe procedural. Duhen prekur dispozitat që rregullojnë hapat e parë që duhet të ndjekë KQZ.  Ka momente të tjera që preken drejtpërdrejt nga hapja e listave. Duhen prekur dispozitat që kanë të bëjnë me hartimin e fletës së votimin, dispozitat lidhur me përfaqësimin e subjekteve që kanë të bëjnë me teknologjinë, vëzhguesit dhe dispozitat që kanë të bëjnë me procesin e numërimit…

Më tej Kaso u shpreh: Subjektet garojnë dhe bëjnë reale planet e tyre të përbashkëta duke shfrytëzuar lirinë e asocimit. Është një nocion që materializon një standard demokratik. Por me ndryshimet  e njëashme Kushtetuese, duke ndalur koalicionet parazgjedhore u hiqet e drejta e qytetarëve që të votojnë për siglën e partisë për të cilën ata dëshirojnë dhe do të jenë të detyruar për një subjekt të përbashkët. Këtë bën Edi Rama, nuk rrit standardin demokratik, por e zvogëlon atë. Pra do të shkohet nga një sistem bipolar drejt një sistemi njëpartiak.

Në rast se vendoset për lista të hapura 100%, çfarë ndodh me listën e kandidatëve?

Kaso: Do të ketë një listë që do të depozitohet nga subjektet që do të garojnë. Në varësi të modaliteteve që do të përzgjidhen qytetarët do të kenë të drejtë të shprehen.

Këshilli Politik

I ftuar në Abc News, për të folur më tepër për Listat e hapura dhe koalicionet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin tonë, ishte këtë pasdite sekretari për çështje Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso.

Veç çështjes së listave dhe koalicioneve zgjedhore, Kaso tregoi po ashtu nëse PD do të jetë prezente në Këshillin Politik, nëse ky i fundit do të ketë një “mandat” të dytë.

Kaso theksoi se PD do të ulet në tryezën e Këshillit Politik, vetëm nëse pala tjetër do të ketë qëllim të realizojë ndryshimet me konsensus dhe që të japë zgjidhje.

Po ashtu, ai sqaroi se ende nuk ka një informacion zyrtar nëse do të ketë më Këshill Politik apo jo.

“Në radhë të parë, duhet të bëj me dije që nuk kemi informacion zyrtar nëse do të ketë Këshill Politik më apo jo. Kujtojmë se është një instrument që është krijuar me marrëveshjen e 14 janarët…palët zotoheshin që të gjitha çështjet e rëndësishme me zgjedhjet do t’i adresonin në këtë Këshill..”

Kaso po ashtu deklaroi se nëse PS vjen në Këshill me një agjendë të paracaktuar, dhe bën ftesë që PD të jetë e pranishme vetëm si fasadë, “do të merren vendimet përkatëse.”

Sekretari për çështje Zgjedhore në PD, u shpreh më tej:

” Kemi një palë që shkeli dakordësinë e 14 janarit duke bërë ndryshime të njëanshme. Në qoftë se kjo palë do t’i paraqisi këto ndryshime në Këshillin Politik…duhet të na paraqesë vizionin e tyre, si do t’i detajojë këto ndryshime që i bëri pa na pyetur ne…. Nëse kjo do të ndodhë, sigurisht ne si opozitë kemi qenë si palë që nuk kemi refuzuar asnjë herë një tryezë të vërtetë që ka kërkuar konsensus dhe zgjidhje. Por ne nuk pranojmë që të bëhemi vetëm fasadë e një tryeze që keqpërdoret dhe rezultati del siç do pala tjetër.”– theksoi Ivi Kaso.

/abcnews.al/

SHKARKO APP