Katalonja shpall Pavarësinë nga Spanja
Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont shpalli para pak minutash pavarësinë nga Spanja. Presidenti Puigdemont e shpalli pavarësinë në parlamentin rajonal katalanas. Për rreth 20 minuta ai dha disa shpjegime se pse po merret ky hap dhe kritikoi qëndrimin e Madridit, për të mos negociuar me qeverinë rajonale, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tyre. Sipas tij, vullneti i popullit katalanas është i patjetërsueshëm. Kjo pavarësi është e njëanshme, pasi qeveria e Madridit është kundër, ndërsa Gjykata Kushtetuese Spanjolle e ka shpallur referendumin e 1 tetorit, që i hapi rrugën kësaj ngjarje, jo ligjor.
“Nuk kam planifikuar kurrë asnjë kërcënim apo ofendim ndaj dikujt. Jemi të gjithë pjesë e të njëjtit komunitet”, kanë qenë fjalët e para të presidentit të Katalonia, në fjalimin e shumëpritur për të adresuar çështjet e pavarësisë së rajonit të pasur verilindor nga Spanja.
“Ishte hera e parë që një votim zhvillohej nën sulmin e policisë, e kjo për shkak se qeveria spanjolle është sjellë në një mënyrë agresive ndaj nesh. Megjithatë, më shumë se dy milionë njerëz mposhtën frikën dhe dolën për të votuar”, tha më tej Carles Puigdemont.
“Çështja katalanase nuk është një çështje vetëm e jona, por e të gjithë Europës. Që prej përmbysjes së diktaturës së Frankos, Katalonia ka kontribuuar gjithnjë për demokraci dhe paqe, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Ne kemi dashur gjithmonë të uleshim në bisedime me qeverinë e Madridit”, ka theksuar më tej Puigdemont.
E menjëherë pas këtij fjalimi ka ardhur edhe vendimi i shumëpritur për katalanasit, e i shumëkritikuar nga qeveria qendrore spanjolle, për shpalljen e pavarësisë së rajonit autonom nga Spanja. “Tashmë ka ardhur momenti deciziv për Katalunjën, e unë si president ndjek vullnetin e popullit për ta shpallur të pavarur Katalunjën. Por dua të marr ende kohë për t’i dhënë mundësi dialogut, duke pezulluar efektet e shpalljes së pavarësisë”.
KOHA JONË SONDAZH

