Katër parti të majta në Francë bashkohen për të bllokuar reformat e presidentit Macron

Katër parti të krahut të majtë në Francë kanë rënë dakord në parim për të krijuar një aleancë për të sfiduar presidentin Emmanuel Macron në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Socialistët, të Gjelbrit, Komunistët dhe partia e ekstremit të majtë e Jean-Luc Mélenchon arritën një projekt-marrëveshje pas negociatave gjatë gjithë natës.

Mélenchon, i cili dështoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale po kërkon tashmë të fitojë shumicën e deputetëve.

Të gjitha palët e përfshira e përshëndetën marrëveshjen si historike.

Udhëheqësi i Partisë Komuniste Franceze, Fabien Roussel, tha se asnjë parti e majtë nuk mund të fitojë e vetme kundër Macron.

Marrëveshja duhet ende të miratohet nga komiteti kombëtar i Partisë Socialiste në një takim të enjten në mbrëmje.

Një negociator për socialistët, Pierre Jouvet, u tha gazetarëve se nëse marrëveshja fitonte miratimin përfundimtar, do të ishte një moment i rëndësishëm në politikën franceze:

“Besoj se sot jemi disa orë larg një momenti historik, një moment historik që është pritur prej vitesh nga njerëzit e së majtës, të cilët na kërkojnë me zjarr të gjejmë një mënyrë për t’u bërë bashkë”, shtoi ai.

Pavarësisht dështimit në garën presidenciale, partitë shpresojnë të jenë në gjendje të bllokojnë axhendën legjislative të Presidentit Macron duke fituar shumicën e vendeve në Asamblenë Kombëtare.

Natyra e fragmentuar e së Majtës në Francën moderne është fajësuar gjerësisht për dështimin e kandidatëve të saj për të shkuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Më i suksesshmi prej tyre, Mélenchon, fitoi 21.95% të votave në raundin e parë, por u mposht nga e djathta ekstreme Marine Le Pen. Ai ishte veçanërisht i popullarizuar në mesin e votuesve nën 25 vjeç.

Socialistët, të cilët morën presidencën për herë të fundit në vitin 2012, panë që votat e tyre në raundin e parë u rrëzua në nivelin më të ulët historik prej 1.74%, me kandidaten e tyre Anne Hidalgo, e cila dështoi të merrte mbështetjen e mjaftueshme për t’i rimbursuar kostot e saj zgjedhore nga Shteti.

Partia Socialiste, dikur dominuese, së bashku me të Gjelbërit dhe Komunistët, ka rënë pas partisë së ekstremit të majtë të Jean-Luc Mélenchon, i cili doli në garën presidenciale si lideri më popullor i së majtës franceze.

Nëse marrëveshja shkon përpara, do të thotë se në vend që të konkurrojnë kundër njëri-tjetrit në zgjedhjet parlamentare, socialistët, të gjelbërt, komunistët dhe mbështetësit e Melenchon do të ndajnë një kandidat për çdo zonë zgjedhore, duke rritur kështu në masë të madhe shanset e tyre.

Është ëndrra e zotit Mélenchon që të jetë në gjendje t’i imponojë Presidentit Macron një shumicë parlamentare që do të bllokonte sistematikisht reformat e tij.

SHKARKO APP