KÇK, Vasili: Rama po i kundërvihet SPAK-ut

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, thotë se nisma e qeverisë kundër asaj që e quan grupi KÇK tregon “një panik të jashtëzakonshëm të një njeriu (Edi Rama) që është në ditët e fundit të tija”. ”Jemi në prag të ngritjes së SPAK-ut dhe ligji për ngritjen e tij është votuar me unanimitet. Kemi një pikë ku biem dakord që të gjithë dhe një investim shumë të madh nga SHBA. Rama i kundërvihet hapur. Kur prisnim ta përshëndeste, ai krijon një polici politike për të fshehur gjurmët. Ia kemi besuar SPAK-ut dhe BKH-së këtë detyrë, ndërsa Rama krijon sot policinë paralele të tij”, deklaroi Vasili në ”A2Cnn”

Më tej, ai shtoi: “Në sallën ku foli Rama ka njerëz që kanë rrahur, kanë vjedhur dhe grabitur. Grupi i bashkëhajdutëve do të ketë mbrojtje nga policia e Lleshit? Ne Vetting-ut ia besuam strukturave të pavarura dhe të posaçme. Pse Rama po e minon Reformën në Drejtësi pikërisht kur po hynte në pjesën më të bukur të saj? SPAK-u u vonua dy vite, por tani që nuk vonohet dot më, Rama krijon struktura të reja”.

Kur u pyet mbi deklaratat e Ramës, i cili tha se ata persona që trumbetojnë se Shqipëria po shpopullohet nga keqqeverisja ose nuk kuptojnë, ose janë të poshtër, Vasili tha: “Shqiptarët ndodhen përpara një njeriu të poshtër dhe budalla të ligë. Kur u liberalizuan vizat, një vit më pas, Malmstrom e paraqiti Shqipërinë si histori suksesi. Në teori, edhe atëherë kishte arsye për të ikur nga Shqipëria por rendi dhe ligji funksiononin dhe shqiptarët nuk ikën. Tani, shqiptarët ikin. Ky është fakt”.

SHKARKO APP