Cilin shigjeton, Ramën apo Çuçin, ish-ministri Sandër Lleshaj kur thotë: Vrasja e efektivit më e rëndë se e Rashës
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se vrasja e nën/komisarit të policisë së Lezhës, Saimir Hoxha është më e rëndë se ajo e vrasjes së Klodian Rashës. Për të shoqëria duhet të reagojë njësoj siç bëri edhe në muajin dhjetor, e për pasojë çoi në dorëheqjen e tij si Ministër i Brendshëm.
Si një shigjetë duket qëndrimi i ish-ministrit Lleshaj ndaj kryeministrit Rama apo ministrit aktual Çuçi!
“Ka dy nivele përgjegjësisë, ligjore që u takon organeve përkatëse dhe përgjegjësi morale. Kjo është çështje e brendshme që ndjen një lloj përgjegjësie, nuk drejtoj gisht ndaj askujt, është një ndër ngjarjet më të rënda, pavarësisht ngjarje që ju i referoheni është shumë e rëndë (vrasja e Klodian Rashës), të cilën drejtësia pjesërisht e ka trajtuar, ende jo plotësisht.
Sa i përket goditjes së një efektivi të policisë, vrasjes së tij, kjo është një ngjarje e rëndë, edhe në Kodin Penal trajtohet si një ngjarje e veçantë dhe si e veçantë. Kërkohet një reflektim i veçantë. Nuk mund shkoj dëm gjaku i efektivit të policisë, gjaku i një djali të ri, një babai, një prindi, një anëtari të shoqërisë sonë.
Kjo është një ngjarje që të lëvizë dhe të shtyjë për reflektim, nëse atëherë shoqëria reagoi fort, në mënyrë jo propocionale, edhe kur vritet një punonjës policie shoqëria duhet të reagojë fort, në respekt të atyre që janë në radhët e Policisë, kanë nevojë që të shohin që policia është me ta”, tha Lleshaj për “Report Tv”.