KE, të dhëna inkurajuese për Shqipërinë
Pranvera erdhi dhe për ekonominë europiane, por lulëzimi nuk është i njëjtë për të gjitha shtetet anëtare të Unionit, siç tregon parashikimi i fundit pranveror për zhvillimet ekonomike në Bashkimin Europian dhe në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, publikuar sot nga Komisioni Europian.
“Prej vitesh nuk kemi pasur një pranverë kaq të qetë”, u shpreh Komisioneri përgjegjës, Moscovici, duke shfrytëzuar faktin se të gjitha shtetet e BE-së, me përjashtim të Qipros, pritet të kenë rritje ekonomike këtë vit.
“Ekonomia europiane njeh aktualisht pranverën e saj më të qetë pas shumë vitesh. Pranvera ekonomike është në anën tonë. Ne kemi mbështetur dhe përmirësuar ekonominë. Faktorët e jashtëm, por dhe politikat e vendosura kanë nisur të japin fryte”, tha Pierre Moscovici, Komisioner i BE për ekonominë, financat, tatimet e doganat.
Ekonomia e BE-së do të rritet këtë vit mesatarisht 1,8 për qind, që do të jetë dhe rritja më e lartë e viteve të fundit, por Komisioneri Moskovici tërhoqi vëmendjen për dallimet e mëdha mes shteteve anëtare, sidomos mbi papunësisë, e cila rezulton jashtëzakonisht e lartë për Greqinë e Spanjën, rreth 25%, ndërsa është vetëm 5% në Gjermani.
Të dhënat janë inkurajuese edhe për Shqipërinë, e cila, sikur të ishte anëtare e BE-së do të ishte ndër vendet me rritjen më të madhe ekonomike dhe me tendencë pozitive të krijimit të vendeve të punës, edhe pse një krahasim i tillë nuk mund të bëhet, nëse marrim parasysh nivelin e GDP-së për frymë, i cili është shumë i ulët në krahasim me mesataren e BE-së.
Komisioni Europian parashikon një rritje ekonomike 3% këtë vit për Shqipërinë, ndërsa vitin e ardhshëm 3,6%. Punësimi do të rritet me 1,3% këtë vit dhe 2,9% në vitin 2016. Defiçiti do të jetë këtë vit 4%, por pritet të ulet në 2,8% vitin tjetër, ndërkohë që kufiri i lejuar i defiçitit në BE është 3%. Simbolikisht, pritet të bjerë edhe borxhi publik këtë vit në 72,5% të GDP-së (nga 72,7% vitin e kaluar), ndërsa vitin e ardhshëm pritet të zvogëlohet më tej në 70,5%. Papunësia këtë vit vlerësohet të jetë 16,8% dhe pritet të ulet në 15,5% në 2016-n.
Komisioni Europian arsyeton se, këto parashikime pozitive për Shqipërinë janë për shkak të rritjes së kërkesave të brendshme. Po ashtu vlerësohet se, vazhdon konsolidimi fiskal dhe është përsëritur gatishmëria e qeverisë për të shlyer detyrimet e prapambetura. Era pozitive për biznesin, sipas dokumentit, është mbështetur nga një qeveri e orientuar në reforma, duke ndihmuar në rritjen e likuiditetit për bizneset private.
Ndërsa rënia e çmimeve të naftës ka pasur ndikim pozitiv në vendet e BE-së, duke ulur çmimin e prodhimit dhe duke rritur konkurrencën, në Shqipëri ndikimi rezulton negativ, sepse ka ngadalësuar ritmin e nxjerrjes së naftës.
Komisioni Europian publikon tre herë në vit parashikimet ekonomike për vendet anëtare dhe ato kandidate. Gjetjet e kësaj pranvere janë ndër më pozitivet, që kur kriza financiare preku BE-në. Por, Komisioni tërheq vëmendjen se, ende ekzistojnë rreziqe për ekonominë europiane, që lidhen veçanërisht me situatën globale, për shkak të brishtësisë politike që mund të jetë e paparashikueshme.
Përgatiti: Arta TOZAJ / Top Channel