Keda Kaceli, një nga emrat dhe vlerat përfaqësuese, që kthen shpresat e ringritjes së Partisë Demokratike
Përmes një postimi të bërë në profilin e saj në Facebook, Keda Kaceli, ka bërë me dije pjesëmarrjen në garën e Primareve të Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës. Me një begraund të pasur dhe kontribut të vlertë, integritet personal dhe intelektual, të denjë për një përfaqësim premtues, për të ardhmen e shpresave dhe mundësive për ringritje të PD-së. Atë forcë politike që ndezi të parat shpresa për liri dhe demokraci, zgjoi uraganin e besimit të atyre që vinin shpirtlënduar dhe trupgjymtuar nga diktatura komuniste. Po atyre që te kjo parti kërkuan të gjenin përmbushjen e ëndrrës dhe idealet, por që me kohën, la shumë të zhgënjyer dhe dëboi shumë të tjerë të pakënaqur. U gjet në udhëkryq dhe u rrëzua në gjunjë, ndoshta edhe për shkak të lidershipit dhe jo pak herë papajtueshmëritë me mendimin ndryshe.
PD, ndoshta nuk gaboi, as kryetari i saj nuk ka pse të pendohet për gjithë gjynahet që rëndojnë mbi të, por fakti se partia erdhi në një moment pa rrugëdalje, jo e kërcënuar nga zhbërja, por nga copëtimi po, tregon se asaj i duhet të ringrihet, për t’i ribërë gjerat e bëra keq, për të pranuar gabimet dhe për të toleruar, si një shërbesë e rikthimit të besimit, e ndërtimit të një force që guxon t’i kundërvihet gjithëpushtetit të qeverisjes aktuale, për të hyrë në zgjedhje, jo thjeshtë për të marrë pjesë, por për të treguar se mund dhe duhet të fitojë.
Nëse gjithëajo që pritet që të rinis si një gjenerim energjie në fuqinë e saj politike, kërkon një mobilizim, një zgjim të ndërgjegjes dhe ftesë për marrje përgjegjësishë, siç kërkon dhe po dëshmohet sakaq vullnetmirë me rigjenerimin e saj me potenciale dhe figura, si Keda Kaceli dhe shumë të tjerëve, që vijnë me kontribut dhe ambicie, të sfidojnë dhe fitojnë të drejtën për të garuar dhe zgjuar në Partinë Demokratike shpresën për zgjim.
Albert Vataj
Postimi i Keda Kacelit
Të Nderuar Anëtarë të Partisë Demokratike,
Unë mund të isha kudo në botë si shumë miq të mi, sidomos me familjen time në shtëpinë tonë në Itali, ku më ka çuar fati e jeta.
I mora Italisë gjëra shumë të çmuara: shkollimin, kulturën, formimin dhe mësova parimet e demokracisë e mbi të gjitha, vlerën e madhe të lirisë. Mësova në dhé të huaj se liria më e madhe është atdhedashuria. Përfitova nga puna pranë njerëzve të shquar, në të gjallë të tyre dhe që s’janë më me ne si At Zef Pllumi, Berlusconi, Ratzinger, që i njoha drejtpërdrejtë si dhe dhjetëra të tjerë që kanë plotësuar kulturën time politike.
Por jam këtu, sepse rrënjët e mia janë këtu, andej jam si pema rrënjeshkulur; këtu më thërret gjaku dhe misioni. Jam në vendin e duhur për të bërë gjënë e duhur. Jam këtu për të djeshmen dhe për të ardhmen. Mbi të gjitha jam për të tashmen. Koha e tashme thërret për veprim. PD po na thërret për veprim: të gjithë pa përjashtim. Veprimi kërkon pjesëmarrje e pjesëmarrja vendimmarrje. Ndaj vendosa të marr pjesë në garën e Primareve të Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës.
PD ka shumë njerëz të mirë, politikanë të zotë e me përvojë dhe secilin e respektoj dhe vlerësoj për aftësitë që ka; ndaj këmbëngul të bashkoj aftësitë e mia për ta bërë PD më të fuqishme, me moralitetin e një partie të besueshme dhe fituese.
Unë jam Keda Kaceli, por jam çdonjëri prej jush. Kërkoj besimin tuaj, sepse dua të jem fjala dhe shpresa, dora dhe mendja juaj, për më të mirën e mundshme në politikë. Ju jeni aktori dhe faktori kryesor që ne jemi ende Partia Demokratike. Kur them se do jem këtu për ju, për ne, besoj se fjala ime e ka kaluar premtimin qysh kur mora rrugën e kthimit nga Italia. Dikur dikush më tha “është vështirë ta duash Shqipërinë, kujdes” Jo nuk është aspak vështirë ta duash Shqipërinë. Është pasuria dhe amaneti i të parëve. Do vetëm zemër e trimëri. Vështirë është të jetosh me brengën e largësisë dhe dhimbjen e mungesës. Turpin e indiferencës dhe kllapinë e zhgënjimit. Po, unë e dua këtë vend përtej vetes dhe çdo rehatie. Unë nuk do ekzistoja po të mos kisha lindur këtu në këtë Shqipëri, në zemrën e Tiranës. Mendoj se njeriu lë pas kënaqësitë e jetës vetëm kur beson te një fuqi më e madhe përmbushëse dhe beson në ndryshimin që sjell mirësia dhe dashuria për vlerat më të çmuara që kemi si shqiptarë. Jam Keda po jam çdo vajzë dhe grua shqiptare, qysh në rini në ballë të çdo shkelje të jetës, të së drejtës dhe lirisë. Me kontribute në politikë dhe shoqëri me modestinë e një qytetarëje të thjeshtë.
Quhem Keda Mirvjen Kaceli dhe jam 44 vjeç. Linda në Tiranën e diktaturës komuniste si brez i tretë i arqmive reaksionarë të Popullit. Lufta e klasave nuk kursente as fëmijët sepse persekutimi me matricen e tij ideologjike genocidare të përfshinte deri në brezin e shtatë. Dihej që në familjet tona dikur pronarë dhe elitë e pasur e kombit, nuk flitej për historinë e famijes, por unë e dija që nuk isha si shokët dhe shoqet e tjera. Dhe këtë do e kuptoja shumë më mirë në vitin 90, kur 10 vjeçe kuptoja shumë gjëra. Pas ikjes me ambasadat në korrikun e 90’s, ndodhën shumë ngjarje që do ndryshonin historinë e Shqipërisë dhe të Shqiptatëve e ndër to hapja e Xhamisë dhe Mesha e Parë, rikthimi i besimit në Zot në vendin më antiteist të globit tokësor, ku Zotin komunistët jo vetëm e mohuan dhe e dëbuan por siç thotë Monsinjor Negri edhe e vranë duke e brutalizuar Atë mbi trupat e njerëzve të pafajshëm. Sa shembuj torturash e vrasjesh makabre kemi?! Shumë për një vend kaq të vogël…
Pas rikthimit të besimit në Zot erdhi dhe shpresa politike me themelimin e Partisë Demokratike me figurat e saj të njohura tashmë historikisht dhe shfaqja e Leaderit të saj, një mjek i njohur në familjen tonë: Profesor Doktor Sali Berisha. Figura e tij do shoqëronte kujtimet që lidheshin pashmangshmërisht me Shqipërinë time. Ende fëmijë, përjetova emocionin e ndrrimit të epokave: numrin e parë të Gazetës së Parë Opozitare Rilindja Demokratike në Janarin ’91, rrëzimin mbarëkombëtar të shtatores së Enver Hoxhës në Shkurtin ’91 dhe ikjen e parë masive të shqiptarëve të eksodit të Marsit 91. Fëmijëria ime u shkund nga shkulja e rrënjëve me ikjen në Itali. Por zemra dhe shpirti gjithmonë kërkojnë prejardhjen dhe vendlindjen. Gjatë gjithë jetës kam mbajt me vete si hajmali një copë gur nga 20 shkurti që babi e solli kujtim të asaj dite historike dhe shpesh ia kam treguar italianëve. Në Itali në vitet e para të qëndrimit atje, Silvio Berlusconi, një figurë tjetër e madhe politike e ngjashme me liderin e fëmijërisë time, do shenjonte adoleshencën dhe rininë time deri në bashkëpunimin e njohur.
Këto dy leader të mëdhenj dhe historia ime familjare do ishin zanafilla dhe këmbëngulja e angazhimit tim politik. Politika nuk është ëndërr por veprim. Mbitëgjitha veprim intelektual. Berisha është fatmirësisht sërish Leaderi i Partisë Demokratike dhe sot unë jam pjesë e saj si antare e Departamentit të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore si dhe pjesë e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë si Koordinatore e PDSh-së me Partitë italiane të qendrës së djathtë siç është Forza Italia. Në Itali, kam qenë antare e Forumit Rinor të Forza Italia në Sekretariatin e Marrëdhënieve me Jashtë. Kam qenë disa herë Kryetare e Delegacionit të Europarlamentarëve të Milanos në YEPP, të Rinjtë e Partive Popullore Europiane si dhe në IYDU me të rinjtë e partive të Djathta Botërore. Po ashtu delegate në OKB, në NY me programe studentore. Jam aktiviste nga adoleshenca e deri më sot për të Drejtat e Njeriut. Kam qenë Kryetare për Italinë e Lëvizjes per Lirimin e pengjeve politike në Kolumbi nga Farc, që më çoi të njihja politikanen e rrëmbyer Ingrid Betancourt: ai model i forcave komuniste terroriste i kohërave të sotme, ishte një formë paralele me terrorizmin e djeshëm komunist. Ndaj jam gjithashtu antare krenare e Kryesisë së Departamentit të Përndjekurve Politikë të PDSh-së sepse qysh nga lindja jam në opozitë ndaj rregjimit diktatorial Hoxhist, pasi rrjedh nga familjet e hershme patriotike Tiranase: Kaceli, Tagani, Huqi, Kukaleshi. Gjyshi im Jonuz Kaceli është martir i ngjarjes makabre të Bombës në Ambasadën Sovjetike në vitin 1951, ndaj memories së tij, bashkë me familjen dhe kushërinjtë, i kam kushtuar “Fondacionin Jonuz Kaceli”, i cili vepron për të mirën, të drejtën, lirinë dhe të vertetën. Jam pjesë e Diasporës shqiptare, pasi kam emigruar me familjen që në fëmijëri në Itali, por nuk jam shkëputur kurrë nga vendlindja dhe nga Tirana shoqërore dhe politike, dhe sot, me vullnet e dëshirë të Zotit, jam Këshilltare e Bashkisë së Tiranës me Partinë Demokratike.
Kam kryer në Itali të gjithë ciklet e arsimit. Diplomuar për Shkenca Ndërkombëtare dhe Institucione Europiane, kam studjuar Gazetari dhe Marrëdhenie Ndërkombëtare, kam kryer një Master formimi për Bioetikë dhe Biopolitikë promovuar nga Dhoma e Deputetëve dhe Senati Italian në Romë dhe sapo kam perfunduar studimet për Histori, curricola Historia e Politikës Bashkëkohore. Në Itali kam themeluar dhe drejtuar disa vite revistën politike “Buongiorno Italia” më pas producente e botuese dhe në vitet në vijim, pas një shkëputje nga jeta publike, kam qenë drejtoreshë menaxhimi e një firme private për logjistikë, në Milano. Kam përkthyer në italisht veprën monumentale të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” i cili qe për mua at shpirtëror dhe udhërrëfyesi i një misioni që vazhdon. Me Fondacionin Jonuz Kaceli përkthej dhe botoj në shqip veprat e Joseph Ratzinger, Papa Benedikti XVI, mendimtari më i madh i të gjitha kohërave, kontributet e pafundme të çmuara të të cilit më shumë se kurrë i duhen shoqërisë dhe të djathtës shqiptare, e cila për bazë, në themelin e saj, ka trinomin e pashlyeshëm: Zot Komb Familje. Libri i tij “Liria. Feja dhe Politika në Mijëvjeçarin e Tretë” është dhe udhërrëfyesi i rrugëtimit tim politik gjatë viteve të fundit, të kaluara në denoncimin e vazhdueshëm të padrejtësive, sa herë që fjala e lirë është cënuar, në protestat madhështore në shesh, te Bashkia apo te Rruga e Shpresës. Kemi shumë çështje që duhen korigjuar por mbitëgjithë kemi urgjencën e madhe për të shpëtuar Shqipërinë.
Patriotët tanë këndonin:
“Për mëmëdhenë për mëmëdhenë
Eja mblidhuni këtu këtu
Se s’ka me prit”
Kjo duhet të jenë edhe thirrja jonë. E ndërgjegjes tonë.
S’ka me prit.
PD ka nevojë të angazhohemi të gjithë në kauzën e përbashkët kundër së keqes që është ulur këmbëkryq dhe ka kapluar çdo skaj të jetës këtu.
Mendoj se përfaqësoj më së miri vlerat e së djathtës dhe të Partisë Demokratike, ndaj kam besim të plotë në rrugëtimin e përbashkët për fitoren e 11 Majit për të përfaqësuar me dinjitet veten dhe ju. Besoj në Zot e në vlerat e familjes ku jam rritur. Besoj në Kombin tonë që ka nxjerrë korifej të dijes dhe martirë që na shohin së Larti. Besoj në Shqipërinë tonë! Është ora e dritës! Është radha jonë!
Rrnoftë Shqypnia!
Me Respekt
Keda Mirvjen Kaceli
KOHA JONË SONDAZH

