”Kei” kopshti më i ri mirëpret 220 fëmijë, Veliaj: Së shpejti, kopësht dhe çerdhe të re edhe në zonën e Astirit

Kopshti “Kei” në Tiranë, hap dyert për 220 fëmijë në Njësinë 7, me kushte shumë të mira dhe mjetet didactive të nevojshme për mësim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bashkë me deputeten e PS, Etilda Gjonaj, vizitoi mjediset e kopshtit të ri, tha se është një bekim për prindërit që e kishin kërkesë shtimin e ambienteve të reja publike për fëmijët në këtë lagje.

“Kopshti ‘Kei’ është ndoshta një nga kopshtet dhe çerdhet më të bukura në Tiranë: ka ashensor, tre kuzhiniere të përkushtuara, ka psikologë dhe mësues që merren me çështjet kreative. Është një bekim i madh! E di që, kur nuk ke bërë asnjë kopësht, asnjë çerdhe dhe asnjë shkollë, e ke shumë kollaj t’i nxjerrësh sytë tjetrit që po punon për këtë punë. Kur ke bërë mbi 40 e ca shkolla, kur ke bërë 20 çerdhe e kopshte të reja, 34 të tjera të rinovuara, e di vërtet se çfarë mundi duhet për t’i bërë realitet. Por, qëllimi ynë nuk është të merremi me llafe, se nuk ke çfarë debaton me atë që nuk ka bërë asnjë shkollë në Tiranë. Qëllimi ynë është të merremi me punë, ndaj dua të vazhdojmë edhe gjatë këtij muaji, kur debatet politike do bëjnë të vetën, që të sigurohemi që, siç kemi bërë këto oaze të mrekullueshme në këto 40 hapësira, ashtu të vazhdojmë edhe në disa hapësira të tjera”, tha Veliaj.

Ai dha lajmin për të gjithë banorët e Astirit, zona ku së shpejti do të hapet një kopësht dhe një çerdhe e re.

“Në Astir trashëguam një zonë të ish-komunës në Kashar, e cila drejtohej nga ata që nuk dinin të bënin asnjë punë, asnjë kopësht e asnjë çerdhe. Nuk lanë asnjë hapësirë bosh. Vërtet privatit i thuhet ndërto, por do i lësh një hapësirë edhe bashkisë për kopshtin, shkollën dhe parashkollorin. Por, ajo që trashëguam nga ata që nuk bënë asnjë punë, ishin vetëm rrënoja. Mbi ato rrënoja duhet të gjenim disa mënyra alternative dhe një prej tyre është qiraja. Në Astir do të vazhdojmë me kopshte dhe çerdhe me qira, të cilat do t’i paguajë bashkia.

Ajo që kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet është që, sot prindërit bëjnë një pagesë simbolike, 1 me 7, ku 7-fishi paguhet nga bashkia. Kjo po që ka rëndësi sepse i jep shansin çdo fëmije që, pavarësisht si i ka kushtet ekonomike familjare, të ketë të njëjtin shans me fëmijët e tjerë. Ne do subvencionojmë dhe do paguajmë aty ku ka impakt, nuk do bëhemi qesharakë në fushatë për çështje që bota i ka sqaruar dhe i ka llogaritur. Ato premtime jo vetëm që nuk kanë impakt, por shkatërrojnë të gjitha investimet e tjera të bashkisë”, sqaroi kryebashkiaku.

Edhe deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj pohoi faktin se ky kopsht i ri është mirëpritur nga të gjithë banorët e zonës dhe është një vlerë e shtuar për ta. “Kopshti është mundësi shumë e mirë dhe kemi marrë mirënjohjen e të gjithë banorëve. Është një kopsht model dhe unë shpresoj të kemi edhe më shumë kopshte dhe çerdhe të tilla në Njësinë 7, duke mbajtur në konsideratë se kjo është një zonë me shumë banorë”, tha Gjonaj.

SHKARKO APP