Kejdi Mehmetaj: Garda dhe policia ka rrethuar pronën private. Rama ka frikë…
Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj thotë se që në orët e para të mëngjesit garda dhe policia e shtetit është vendosur në Mbrostar-Ferko të Fierit duke rrethuar pa asnjë shpjegim zonën dhe pronën private.
Në një postim në Facebook, Mehmetaj shkruan se shqetësimi i ka ardhur nga banorë të zonës, të cilët shprehen se policia e shtetit nën kërcënime nuk i lejon të qëndrojnë në pronën e tyre dhe të përdorin celularët për të komunikuar apo filmuar çfarë është duke ndodhur.
Reagimi i Kejdi Mehmetajt
Që në orët e para të mëngjesit garda dhe policia e shtetit është vendosur në Mbrostar-Ferko të Fierit duke rrethuar pa asnjë shpjegim zonën dhe pronën private.
Pronarët e tokës bujqësore që ndodhet në krah të autostradës na kanë kontaktuar të shqetësuar, pasi garda dhe policia e shtetit nën kërcënime nuk i lejon të qëndrojnë në pronën e tyre dhe të përdorin celularët për të komunikuar apo filmuar çfarë është duke ndodhur. Po ashtu edhe gazetarëve u është kërkuar të largohen për të mos transmetuar live ngjarjen.
Pse trembet Edi Rama nga pronarët e tokës? Pse nuk pranon të komunikojë me ta publikisht? Pse nuk ndjek rrugën institucionale dhe ligjore për zhvillimin e projekteve? Pse kërcënohen qytetarët? Pse nuk bëhet transparencë mbi marrjen e vendimeve? Me kë u konsultua Edi Rama përpara se ti vinte gishtin asaj toke? Kush janë ekspertët e shëndetit publik dhe urbanistikës që e kanë sygjeruar atë tokë bujqësore, nën nivelin e autostradës dhe me lagështi si vend të përshtatshëm për ndërtimin e një spitali?
I bëj thirrje gardës dhe policisë së shtetit të mos dhunojnë qytetarët që ndodhen në pronën e tyre private, të mbrojnë të drejtën e tyre për tu informuar e të drejtën e medias për të transmetuar e informuar publikun.