Këlliçi në Kashar, premton mbështetje për fermerët: Rregullojmë rrugët dytësore

Kandidati i koalicionit ”Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi edhe këtë të enjte turin e takimeve me banorë të zonës së Kasharit, ku bisedoi me ta për programin e tij. Këlliçi premtoi investime në infrastrukturën rrugore, duke evidentuar amortizimin e aksit dytësor përgjatë autostradës Tiranë-Vorë. Sipas Këlliçit, kjo rrugë do të rikonstruktohet, pasi u shërben banorëve dhe bizneseve të zonës.

“Dhe një nga problemet që kemi pasur, është dhe rruga dytësore në autostradë në fakt, që e kap Kashari, që na ka ardhur si shqetësim dhe ka të bëjë me vetë faktin që të gjithë bizneset përgjatë asaj rruge paguajnë rregullisht taksa, ndihmojnë në ekonominë e qytetit dhe nuk marrin asnjë shërbim. Ajo rrugë është në gjendje katastrofale, është e paimagjinueshme se si mund të mbahet ajo rrugë në atë gjendje. Por pa diskutim prioriteti i bashkisë do të jetë edhe shtrimi i rrugës dytësore, sepse minimumi që i kemi borxh bizneseve është rruga”, tha Këlliçi.

Duke folur për programin e tij për zonat rurale të Tiranës, Këlliçi tha se subvencionet për bujqësinë dhe ndërtimin e tregjeve për fermerët do i jap një tjetër ritëm këtyre zonave.

“Patjetër do të keni subvencione 70 milionë euro në vit për fermerët, jo vetëm zona e Kasharit por në të gjithë fshatin e Tiranës. Do të kemi 3 milionë euro për huamarrjen, do të kemi 10 mijë euro mbështetje për çdo fermer që do të nisë një biznes të ri, për bazë materiale, dhe do të kemi ngritjen e 15 tregjeve, me produkte bio, organike, të certifikuara, të prodhuara në fshatin e Tiranës, që në tregjet që ne do të vendosim për t’i shitur këto produkte, në momentin që fermeri do të shkojë në këto tregje që përcaktohen nga bashkia e Tiranës në njësitë e Tiranës, do të kenë zero taksë bashkiake”, u shpreh Këlliçi.

SHKARKO APP