Kërcënimi grek/Mesila Doda: Kotzias, klloun, dinjitar i paekulibruar
Deputetja e PDIU-së Mesila Doda reagon lidhur me deklaratën e djeshme të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias e cila shkoi deri në kufijtë e kërcënimit me Shqipërinë në lidhje me çështjen çame, duke përmendur sistemet e mbrojtjes, të sigurisë, por edhe emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë atje.
Në kohë kur politika e diplomacia shqiptare kërkon zgjidhje me dialog për të gjitha çështjet e mbetura pezull, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias i është kundërpërgjigjur me paralajmërime Tiranës
Postimi në facebook i Mesila Dodës:
Nuk i gjej dot dy raste, kur ministri i jashtëm Kotzias të ketë patur deklarime koherente, të ekulibruara e të matura.
Por sot ka tejkaluar çdo sinor për një dinjitar të lartë që përfaqson diplomacinë e një shteti anëtar të NATO-s.
Kotzias kërcënoi sot shtetin shqiptar me arrogancën e atij që ka më shumë ushtri, mbrojtje e pasuri.
Ushtarakisht, a e di ministri i Jashtëm i vendit anëtar të NATO-s se bën pjesë në të njëjtën aleancë ushtarake, ku është edhe fqinji i tij, në aleancën më të madhe ushtarake e politike? Kujt i tregon forcën e ushtrisë ky person i paekulibruar e i papërsëritshëm në marrëzitë që lëshon?
Politikisht, a e din ministri i Jashtëm i shtetit fqinj që Europa e sotme është e bazuar mbi shtetin e së drejtës e jo mbi pasurinë e secilit shtet anëtar, sepse në atë rast Greqia do duhej të kish dalë në ankand me kohë, pasi është një shtet i falimentuar, me një borxh publik në rreth 340 miliardë euro pa interesa, që është rreth 180 % e GDP-së, ndërsa së bashku me interesat ky borxh ka tejkaluar më shumë se dyfishin e tërë ekonomisë greke së bashku me asetet e saj.
Ky klloun dinjitar, peshqesh i grekëve të rinj, do duhet të ndajë mendjen, nëse është për respektimin e konventave ndërkombëtare dhe në të njëjtën linjë me Brukselin, apo kërkon të mbrojë lavdinë e kolonel Zervës.
Flet për Konventat Ndërkombëtare…bukur. Të nisim më respektimin e Konventës për Dënimin e Krimeve të Luftës, Koventës për Dënimin e Genocidit, me respektimin e Konventës për të Drejtat e Njeriut, ku në rastin e shqiptarëve të Çamërisë janë shkelur e drejta e jetës, e drejta e pronës, parandalimi i torturës, liria e fjalës, liria e mendimit, liria e besimit, thuajse çdo nen është dhunuar dhe rezultati ishte një spastrim i plotë etnik.
Tash, duhet marrja e një pozicioni të qartë nga shteti i sotëm, ose ndjesë publike dhe kërkesë faljeje për krimet e kryera ose bashkëpunëtor publik me krimin dhe kundër vlerave të Europës. Arroganca nuk ndihmon kërrkënd, veç frikacakun.
Kotzias “kërcënon”: Greqia më e fortë në të gjitha drejtimet
Greqia tregohet e ashpër deri në kufijtë e kërcënimit me Shqipërinë në lidhje me çështjen çame, duke përmendur sistemet e mbrojtjes, të sigurisë, por edhe emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë atje. Në kohë kur politika e diplomacia shqiptare ka kërkuar zgjidhje me dialog për të gjitha çështjet e mbetura pezull, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias i është kundërpërgjigjur me paralajmërime Tiranës.
Kotzias: “Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”
Kotzias në një intervistë për mediat greke merret edhe ne politikën e brendshme shqiptare dhe thotë se çështja çame ngrihet për shkak të bashkëqeverisjes me PDIU. Shefi i diplomacisë greke, nuk ngruron ti quajë çamet e PDIU mbështetes të atyre që sipas tij kryen krime lufte.
Kotzias: “Fakti që ata qeverisin me partinë e çamëve i ka detyruar të adoptojnë pjesë së axhendës së kësaj partie, siç janë çështjet e çamëve që kryen krime lufte në Greqi, që janë dënuar njëherë e mirë nga gjykatat greke. ‘Çështja çame’ i intereson kësaj pjese të çamëve dhe jo 160 mijë apo më shumë çamëve shqiptarë, që s’kishin dhe s’kanë asnjë lidhje me Greqinë dhe krimet e asaj periudhe. Gabimi i dytë është se, pas vitit 2008, për shkak të krizës, dikush e nënvlerësoi Greqinë dhe mendoi se mund të bëjë lojëra në kurriz të saj”
Duke përmendur rolin që ka Greqia në rajon, Kotzias ka një mesazh të qartë kur kërkon që problemet me Shqipërinë të zgjidhen mes dy vendeve pa palë të tretë dhe para se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian
Kotzias: “Ne kemi përgjegjësinë më të madhe për të zgjidhur problemet e të tretë pa ndërhyrje.T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”
Shefi i diplomacisë greke vijon akuzat ndaj komisionerit Hahn duke theksuar se kërkon të negociohet që një cështje që për Greqinë nuk ekziston sic është çështja çame.
KOHA JONË SONDAZH

