Kërcënimi me armë i gazetarëve në Nikël të Krujës, Presidenti Begaj: Dhunim i fjalës së lirë

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar ngjarjen me grupin e gazetarëve që u kërcënuan dhe u mbajtën peng për 30 minuta nga persona të armatosur. Kreu i shtetit inkurajon organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të dhunimit të fjalës së lirë. Grupi i xhirimit filmonte gërryerjen e paligjshme të lumit “Zezë” në Nikël të Krujës. ”Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet”,-është thirrja që lëshon Presidenti.

Qëndrimi i plotë

Mësova me keqardhje për kërcënimin me armë, ndalimin dhe dhunimin e ushtruar ndaj grupit të xhirimit të emisionit “Fiks Fare”, gjatë kryerjes së misionit të tyre hulumtues e denoncues në fshatin Nikël të Krujës.

Shpreh indinjatën mbi këtë akt të rëndë të dhunimit të punonjësve të medias, si dhe mbështes emisionin “Fiks Fare” në misionin, guximin dhe profesionalizmin që ka treguar në denoncimin publik të fenomeneve korruptive dhe dukurive që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

Inkurajoj organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të dhunimit të fjalës së lirë. Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet në një shoqëri demokratike!

SHKARKO APP