Kërkesa e demokratëve për anulimin e 29 korrikut, Bardhi nuk dorëzohet: Do thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar
Pasi grupi i Bashës sot i mori vulën, sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar për “Panorama TV” se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të PD-së.
Kjo vjen pas kërkesës që 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar i kërkuan të ushtrojë kompetencat si sekretar i përgjithshëm. Kërkesa i është dorëzuar Gazment Bardhit nga një grup prej 7 deputetësh.
“Po kam marrë një relacion të detajuar dhe kërkesë mbi situatën dhe vlerësimin e Këshillit Kombëtar dhe pasi i kam shqyrtuar kam ushtruar menjëherë kompetencat që më njeh Statuti i Partisë. Kam vendosur të thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Ju falenderoj”, sqaroi Bardhi.
Në një deklaratë per mediat, deputetët Bledian Nallbati dhe Lefter Geshtenja thane se 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë kundër zgjedhjeve të 29 korrikut. Ata i kërkuan Sekretarit të Përgjithshëm që të ushtrojë kompetencat që i njeh Statuti dhe të ndërmarrë çdo iniciativë statutore për të frenuar përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike.