Kërkesa për Berishën, Kadilli: E turpshme që Basha të vihet me shpatulla pas muri nga ambasadorja
Mesazhi i ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ndaj Partisë Demokratike ishte i qartë: distancim nga Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga sekretari amerikan i Shtetit. Ndaj dhe Fatbardh Kadilli thotë se Basha duhet të ndihet i turpëruar që i vihet ultimatum nga diplomatët për një çështje që duhet të ishte shprehur vetë. Ai përsëriti se ka ardhur momenti që Partia Demokratike të shohë nga e ardhmja.
“Është e turpshme që kryetari i Partisë Demkratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është. Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike.
Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA. Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me shqipërinë, SHBA dhe demokracinë.
Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja”.