Kërkimet për naftë në Jon, Tirana përplaset sërish me Athinën
Ministria e Jashtme shqiptare i ka dërguar notë verbale ambasadorit grek, Leonidas Rokanas, lidhur me planin grek për të kërkuar naftë në detin Jon. Kështu shkruan gazeta greke “Kathimerini”. Në notën verbale shpjegohet se zona që mbulohet nga kërkimet përfshin dhe pjesë të shelfit kontinental të vendit fqinj. Por, Athina e ka mohuar këtë çështje, raporton TCH. Për këtë veprim të Tiranës, shkruan “Kathimerini”, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka anuluar takimin e planifikuar me ambasadorin shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.
“Veprimi diplomatik i së premtes është i fundit në vazhdën e mosmarrëveshjeve mes Athinës dhe Tiranës në lidhje me të drejtën e eksplorimit”, shkruan gazeta greke.
Të dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje në vitin 2009, duke krijuar një zonë ekskluzive ekonomike, por pa zgjidhur ende vendosjen e kufijve dhe përcaktimin e shelfit kontinental. Gjykata Kushtetuese anuloi marrëveshjen pas një kërkese të bërë nga opozita e atëhershme.