Kërkon mandatin e 7-të, BIRN: Gëzim Topçiu ishte 33 vjeç kur u zgjodh kryetar në vitin 2000

Është për rekord Guinness, pasi Gëzim Topçiu, kandidati i Partisë Socialiste është në garë për mandatin e shtatë të kryetarit të bashkisë Maliq. Ai ishte 33 vjeç kur u zgjodh kryetar i bashkisë së qytetit në vitin 2000. Nëse do të zgjidhet sërish, ai do të jetë 60 vjeç në fund të mandatit dhe do të ketë kaluar më shumë se gjysmën e jetës si kryetar.

Bashkia e Maliqit ka preferuar gjithmonë kandidatë të së majtës në zgjedhjet lokale, por në zgjedhjet e viteve 2007 dhe 2011, rezultati ka qenë i ngushtë. Socialistët zgjeruan fitoren e tyre në zgjedhjet që pasuan ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në territorin e bashkisë arritën të marrin 52% të votave përkundrejt 43% që morën dy partitë opozitare, PD dhe LSI.

Bashkia e Maliqit pa pësuar rënie në pjesëmarrjen në zgjedhje, gjë që ka gjasa të jetë shkaktuar nga emigrimi i një pjese të popullsisë, por votat duket se i kanë ikur më shumë partive të opozitës. Në zgjedhjet e vitit 2011, në qytet dhe në komunat përbërëse të bashkisë së re u hodhën 26 mijë vota ndërsa më 2021, 24 mijë. Bashkia e Maliqit shtrihet në rrafshnaltën e Korçës në Shqipërinë juglindore.

Kjo bashki përbëhet nga 7 njësi administrative, të cilat janë: Maliq, Libonik, Gorë, Moglicë, Vreshtas, Pirg dhe Pojan. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Korçës dhe qarkut Korçë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 80 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie.

Qyteti i Maliqit nisi të ndërtohej pas tharjes me punë të të burgosurve të kënetës së Maliqit, e cila filloi të përdorej për kultivim me panxhar sheqeri. Qyteti u ndërtua në funksion të një fabrike të sheqerit dhe të alkoolit të nxjerrë nga melasa si dhe industritë shoqëruese, niseshtesë së misrit dhe majasë së bukës. Një termocentral i vogël u ndërtua në këtë kuadër. Industria në fjalë është mbyllur para tre dekadash ndërsa së fundmi në këtë bashki është hapur një fabrikë për përpunimin e peshkut. Pjesa tjetër është zonë bujqësore. /BIRN/

SHKARKO APP