Kërpaçi: Mbi 2000 të rinj kanë ardhur nga PS
Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi u shpreh në një intervistë për Report Tv se mbi 2000 të rinj janë larguar nga radhët e PS-së për tiu bashkuar LSI-së. Ajo thotë se të rinjtë do të kenë një angazhim më të madh në partinë politike. Të rinjtë do të jenë më të angazhuar në politikë. Këtë ka deklaruar kryetarja e LRIS-së Floida Kërpaçi gjatë një interviste për Report Tv. Ajo shprehet se LSI ka marrë mbi 2000 të rinj nga radhët e PS-së të cilët besojnë në alternativën që ofrojnë ata. “Ne jemi partia që mbështet të rinjtë. Të rinjtë e PS kanë ardhur masivisht tek LSI. Në të gjitha takimet tona, shumica e të rinjve kanë qenë të rinj që kanë ardhur nga PS. Ata kanë ndjerë ndryshimin e PS-së ku nuk është më një parti socialiste por një parti që i shërben vetëm një grupi njerëzish. Në të gjithë Shqipërinë të rinjtë besojnë LSI. PS e ka shkrirë forumin rinor. Mbi 2000-3000 të rinj kanë ardhur nga PS. Këto zgjedhje janë momenti për të parë të rinjtë të angazhuar në politikë. Përtej numrat dhe mbështetjes së madhe, LSI besohet nga të rinjtë se ajo vetë mbështet të rinjtë” – tha Kërpaçi.
Ajo tha se LSI do të zhvillojë më 5 dhjetor konventën kombëtare të LSI-së ku do të zgjidhen dhe drejtuesit politik. Kërpaçi deklaroi se i vetmi angazhim i LSI-së do lidhet me qytetarët. “Të shtunën ne do të kemi zgjedhjet ku do të kemi një risi. Ne do të bëjmë votimin online. Ju garantoj që në ditën e zgjedhjeve në çdo qëndër votimi do të ketë një angazhim shumë të madh të të rinjve. Më datë 21 nëntor do të votohet për këtë ekip ndërsa më 5 dhjetor do të shkojmë në konventën kombëtare të LSI-së ku do të zgjidhen dhe drejtuesit politik. I vetmi angazhim i yni lidhet drejtëpërdrejtë me qytetarët shqiptarë” – tha Kërpaçi. Duke shprehur bindjen e plotë në fitoren e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme, Kërpaçi deklaroi se shumë profesionistë të rinj janë angazhuar dhe janë mandatuar nga KQZ e LSI-së për të qenë të deleguar në procesin e votimit online. “Ky është një proces ku nuk flitet për vonesë por për një ekip të mirë dhe për një datë që sjellë risi dhe u jep mundësi të gjithëve për tu angazhuar. Shumë profesionistë të rinj janë mandatuar nga KQZ e LSI për të qenë të deleguar dhe për të ndjekur procesin online. LSI do të ketë kandidatët më të mirë për ekipin që ka alternativën e zgjidhjes dhe të përgjegjësisë. Përtej emrave, e rëndësishme është ajo që ne përfaqësojmë dhe ajo çfarë ofrojmë. Në bashkëbisedimet që ne kemi zhvilluar me të rinjtë na është dhënë mundësia për të hartuar një plan. Një vëmendje të madhe nga ne do i jepet arsimit dhe punësimit. Këto janë dy prej fokuseve kryesore të LSI-së. Data 21 nëntor është një votim ku do të zgjidhet ekipi që do i sjellë alternativën Shqipërisë. Opozita e bashkuar është ekipi fitues. Është e qartë jo vetëm se e themi ne por e thonë qytetarët” – u shpreh kryetarja e LRI-së.