Kërpaçi: Në Tiranë LSI merr 11 mandate, PS po shantazhon qytetarët
Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për deputete në Qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi u shpreh e bindur se kjo forcë politike do të marrë 11 mandate deputetësh në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
E ftuar në studion e ABC, me Juli Xhokaxhi, ajo tha se beson se do të kenë një fitore të jashtëzakonshme në kampin opozitar, pasi qytetarët kanë shprehur dëshirën për ndryshim.
“Presim 11 mandate në Tiranë sepse kemi një ekip dhe program të jashtëzakonshëm. Kur LSI thotë diçka e mban fjalën. Ne presim të jemi fitues të jashtëzakonshme bashkë me kampin opozitar. Në çdo derë që shkojmë kuptojmë që të gjithë e duan ndryshimin. Askush nuk e beson çfarë thonë ata. 300 mijë vende pune jo vetëm që nuk u hapën, por u larguan të gjithë. Unë jam në zonën e Kombinatit. Ata janë të prekur nga procesi i rindërtimit. Ne e kemi shprehur garancinë tonë se do ta bëjmë rindërtimin në zonën ku kanë shtëpitë”, u shpreh kandidatja për deputete e LSI-së.
Floida Kërpaçi tha gjithashtu se Partia Socialiste po shantazhon qytetarët, kryesisht punonjësit e administratës për heqjen nga puna nëse angazhohen me opozitën.
“Kanë filluar makinacionet që rilindja mundohet t’i bëjë gjithmonë se kuptoj se njerëzit jetojnë me frikë. Kam një rast të një vajze. Para disa ditësh më nisi një mesazh: Ima atë është në punë dhe kanë vajtur shefat dhe kanë parë që kam qenë me ju dhe kërkojnë që të distancohem ose babain do ta heqim nga puna. Flasim për të punësuar në administratë. Po i kërcënon që të mos jenë të angazhuar. I kam denoncuar te OSBE-ja dhe reagimi ka qenë se do e ndjekim”, u shpreh dje kandidatja e LSI-së për deputete në Qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi.