Kërpaçi: Qeveria të shtojë informacionin për publikun, fletpalosje informuese në pallate, markete dhe vende të tjera publike
Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi në një konferencë për mediat u bëri thirrje institucioneve të marrin masa më të forta për parandalimin e koronavorusit në Shqipëri.
“Qeveria të shtojë informacionin për publikun, fletpalosje informuese në pallate, markete dhe vende të tjera publike. Qeveria të mbyllë aktivitetet private ku ka prani të madhe njerëzish”,-tha ndër të tjera kryetarja e LRI.
Deklarata e plotë e kryetares së LRI-së, Floida Kërpaçi
“Në fillim të këtij komunikimi publik shprehim ngushëllimet tona për humbjen e jetës së 73 vjeçares nga Durrësi të diagnostikuar me koronavirusin COVID-19.
Që prej momentit kur u bë publik prania e koronavirusit COVID-19 në Shqipëri fatkeqësisht raportimet e njerëzve të prekur janë rritur me ritme të shpejta duke na bërë të jemi në betejë me të panjohurën për shkallën e depërtimit të tij në popullatë.
Secili prej nesh duhet të kuptojë se kujdesi që duhet të tregojmë për higjienen personale është me rëndësi të jashtëzakonshme, për veten dhe familjarët tanë; për miqtë, për komunitetin tonë, dhe në tërësi për të gjithë popullatën pasi virusi shpërndahet lehtësisht nga kontakti njerëzor dhe neglizhenca mund të përkeqësojë situatën.
Mirënjohje dhe kurajo për të gjithë trupën mjekësore që po përballon situatën e vështirë. Për ata qindra mijëra mjekë të qëndrave shëndetësore, poliklinikave, që përballen me kontaktin e parë me qytetarët, si dhe me të gjithë mjekët, infermierët, të gjithë stafin mjekësor që kanë lënë familjet dhe janë mbyllur brenda spitaleve për të ndjekur rast pas rasti situatën e rëndë.
Qeveria dhe task forca për përballimin e situatës duhet të vijojë të marrë masa për parandalimin e shpërndarjes së virusit, pasi qytetaret ne keto momente kane nevoje per informacion dhe sensibilizim! Duke parë se jo të gjithë qytetarët e republikës së Shqipërisë kanë akses në internet apo televizion, gjykojmë se duhet te merren urgjentisht masa nga organet kompetente per të realizuar pankarta informuese dhe sensibilizuese per qytetaret në të gjithë territorin, me qëllim primar maksimalizimin e vemendjes dhe vetëdijes se tyre.
Këto pankarta të vendosen në ambjente publike në të gjithë territorin e Shqipërisë, si psh. në stacionet e autobuzave, jashtë marketeve ushqimore, farmacive, etj. Administratorët e pallateve gjithashtu të angazhohen në informimin e banorëve të pallatit nën administrim, duke realizuar shpërndarjen e këtyre materialeve informuese. Për më tepër në kuadër të masave për ndalimin e shpërndarjes së koronavirusit duhet përforcuar rigorozisht kontrolli në pikat kufitare tokësore dhe detare që kanë më shumë fluks njerëzish. I bëjmë thirrje qeverisë të marrë masa për mbylljen e aktiviteteve private ku ka shumë punonjës dhe prani të madhe njerëzish, duke qenë se probabiltieti për përhapje është më i madh; duke siguruar që pagesat e tyre të mos cënohen.
Mjekët tanë po bëjnë të pamundurën në kushtet e pavafaroshme që politikat e qeverisë i kanë lënë, ndaj sot është koha që ne të gjithë të bëjmë me rigorozitet detyrat tona për ndalimin e shpërndarjes së virusit. Ky eshte nje moment i rendesishem i cili ka nevoje per përgjegjshmeri në administrim nga ana e strukturave shtetërore përgjegjëse, si dhe nga çdo qytetar. Në mbyllje apeli për të gjithë që ndjejnë se kanë simptoma të coronavirusit COVID-19 është të mos ndjejnë turp apo frikë. Ne të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë mund të prekemi. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë. Mendoni për veten, për familjen dhe për gjithë shoqërinë!”.