Kërpaçi: Rindërtimi në Kombinat duhet të kryhet aty ku banorët duan, jo aty ku qeveritarët duan!
Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi është takuar sot në kombinat me banorë që u janë dëmtuar banesat nga tërmeti. Gjatë diskutimeve me banorët, Kërpaçi është njohur me pasigurinë që ka krijuar qeveria të qytetarët e dëmtuar për njohjen e pronës së tyre.
Në emër të LSI, Kërpaçi ka premtuar se rindërtimi i banesave në Kombinat duhet të kryhet aty ku banorët duan dhe zgjidhje të gjithë problemeve burokratike që ka krijuar qeveria “Rama”.
Reagimi i plotë i Floida Kërpaçit:
“Sot me banorët e Kombinatit, ku ndava qëndrimin e LSI që rindërtimi të bëhet aty ku ata kanë shtëpitë, në Kombinat!
Përditë takoj qytetarë të Tiranës që më shprehen shumë të shqetësuar prej trajtimi politik dhe joligjor të pasojave që solli tërmeti i vitit 2019.
Të gjithë kundërshtojnë shpërnguljen që po u bëjnë nga kombinati duke i çuar në zona të tjera!
Tre fakte me rëndësi:
- Kontrata që Kryetari i Bashkisë Tiranë u ka dhënë për të firmosur, mban titullin: “MARRËVESHJE PARAPRAKE PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË (MODEL TIP) “. Në nenin 2 të kontratës thuhet se “Kjo marrëveshje nuk përbën aktin përfundimtar të fitimit të pronësisë.”.
Duket qartë që në titull dhe në nenin 2, se pronarët nuk janë të garantuar për rikthimin e pronës. Nëse qëllimi i qeverisë ka qenë për t’i dhënë garanci pronarëve, një mënyrë mund të ishte që të gjithë emrat e pronarëve të listoheshin në lejen e ndërtimit.
- Vullneti i Bashkisë Tiranë për të shpërngulur banorët e Kombinatit nga zona ku kanë shtëpitë aktualisht, nuk ka të bëjë me interesin më të lartë të banorëve dhe as me dëmtimin e godinave në atë stad që duhen prishur. Përkundrazi, a) banorët disponojnë ekspertizë ligjore që vlerëson pallatet jo DS4 (siç i ka klasifikuar Bashkia Tiranë për të legjitimuar prishjen), b) interesi i banorëve nuk është të shpërngulen, ata duan që të jetojnë aty dhe jo të ndërtojnë miqtë e qeverisë në Kombinat ndërsa fëmijët e tyre të ikin larg kombinatit c) edhe ata që kanë marrë premtime dhe kanë firmosur kontratën e pikës 1, prap janë njësoj si gjithë të tjerët viktima të propagandës me rindërtimin.
- Në Marrëveshjen e Koalicionit mes LSI dhe PD, të firmosur ditën e djeshme dhe ku do të bazohet qeveria e pas 25 Prillit, palët kanë dakordësuar “Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proces shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.
Rindërtimi në Kombinat duhet të kryhet aty ku banorët duan, jo aty ku qeveritarët duan!
#25prill🇦🇱”.