Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton gjobat e reja për ata që ndotin, zaptojnë dhe vandalizojnë hapësirat publike të qytetit

 

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot vendimin për rritjen e masave ndëshkuese për të gjithë ata individë që ndotin, vandalizojnë apo zaptojnë hapësirat publike të qytetit. Vendimi vjen në kuadër të masave që Bashkia e Tiranës ka marrë për të rikthyer ligjshmërinë dhe pastërtinë në qytet. Në fjalën e tij kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, ftoi përfaqësuesit e opozitës që ta mbështesin këtë akt, si tregues për t’u distancuar nga zhuli dhe se janë për një qytet të pastër.

“Zgjedhja është e juaja. Ose votoni për 99% të Tiranës që do pastërti ose bëhuni avokatët e 1% të zhulsave që nuk mund ta tërheqin zvarrë qytetin tonë, në këtë mënyrë që e kanë tërhequr në katër vitet e fundit. Keni një shans historik, të bëheni me pjesën higjienike të qytetit, me pjesën e pastër, me pjesën e qytetit që del nesër në aksion dhe nuk pyet për dallime politike, por pyet për mënyrën se si ky qytet do të ketë të ardhmen”, tha në fjalën e tij kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Ai ka shtuar se masat e para të marra nga bashkia kanë dhënë rezultate konkrete, duke reduktuar ndotjen dhe abuzimin me publiken, ndaj dhe Bashkia ka vendosur që të forcojë edhe më tej këto masa, deri në ndërgjegjësimin e plotë të qytetarëve për të mos vandalizuar apo ndotur ambientin e përbashkët. “Sot keni një vendim të rëndësishëm, o me partinë, o me qytetin, o me Lulin e me zhulin, o me qytetin dhe shtetin! Jemi këtu të bëjmë qytet dhe të bëjmë shtet. Me një votë mund të tregoni që ndaheni nga një pjesë e zhulit dhe papastërtisë. Nëse ju trembin këto gjoba, shikoni rezultatin që kanë dhënë masat e para. Kemi sot një qytet shumë më të pastër falë masave që aplikuam dy javë më pare”, shtoi Veliaj.

Më tej, ai ka sqaruar se gjobat e reja që miratoi sot Këshilli, janë në fakt unifikim i masës së gjobës së shkeljes konkrete me vlerën që duhet për të kompensuar dëmin e shkaktuar nga ajo shkelje. “Propozimi ynë ka qenë ky që të gjitha gjobat e Tiranës të unifikohen në gjoba të maksimumit që lejon ligji, ligji që u votua në mazhorancën tuaj në 2010-ën. Dhe ajo që kemi bërë është që të gjitha gjobat i kemi çuar në nivelin maksimal. Pse i bëjmë ne këto? Për 1% të qytetarëve që i dëmton, edhe t’i paguajë. Deri më sot kjo bashki ka funksionuar me të tjera rregulla, 1% bën pis, 99% paguan. Dikush ndërton pa leje, 99% të tjerët paguajnë. Dikush dëmton, vidhte dhe abuzonte, dhe 99% e të tjerëve paguanin. Kjo ndryshon sot! 1% që e dëmton, e kompenson dëmin me vlerën e tregut”, theksoi Veliaj.

Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Bashkiak miratoi edhe disa vendime të tjera të rëndësishme. Më konkretisht, u miratua vendimi për shpërndarjen e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, për muajin gusht për secilën njësi administrative të Tiranës. Gjithashtu, Këshilli miratoi edhe vendimin për caktimin Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të përfaqësuar Bashkinë e Tiranës në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërisë sh.a “Ujësjellës Kanalizime” Tiranë.

Një tjetër vendim i marrë sot nga Këshilli Bashkiak ishte edhe ai për kalimin e Digës së Liqenit Artificial të Tiranës dhe veprave të tjera përbërëse të saj në administrim të “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. “Duke qenë se Këshilli i Ministrave e ka caktuar decentralizimin dhe të këtyre objekteve në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se gjykata ka 8 vite që po vonon vendimet, duke qenë se sot vendimi tjetër është ndërtimi i administratorëve në UKT, besoj se arsyeja pse merremi me politikë, është për të marrë përgjegjësi. Unë besoj se merremi me këtë punë që të mos gjejmë justifikime. Edhe kjo e digë, patjetër që e dimë që është një gjë me zarar, por kemi dy mundësi: O të mos marrim asnjë risk e tregohemi komplet të papërgjegjshëm e ta lëmë në një lloj vakumi ose të bëhemi njerëz seriozë”, tha Veliaj.

Gjobat

Kategoria e parë :

-Për dëmtim, çarje dhe ndotje rruge               100 mijë lek, plus dëmin 40.400 lekë për çdo metër katror

-Për dëmtim, çarje, ndotje trotuari                  100 mijë lek, plus 31.500 lekë për çdo metër katror trotuar të dëmtuar

-Për dëmtim bordure                                       100 mijë lek plus 20.500 lekë për çdo metër linear të dëmtuar

-Për dëmtim, bllokim pusete                           100 mijë lek plus 110 mijë lek për çdo copë pusete të dëmtuar

-Për vjedhje të zgarës                                      110 mijë lek për çdo copë zgare të vjedhur

-Për vjedhje kapak pusete                               100 mijë lek plus 188 mijë lek për çdo kapak pusete të vjedhur

Kategoria e dytë:

-Lidhjet e pamiratuara në rrjetin ajror             200 mijë lek plus 130 mijë lek për lidhje

-Dëmtimi i shtyllave                                        200 mijë lek plus 520 mijë lek për çdo shtyllë të dëmtur

-Dëmtimi i ndriçuesve të qytetit                     200 mijë lek plus 420 mijë lek për çdo ndriçues të dëmtuar

-Përdorimi i shtyllave si suport reklamë          200 mijë lek plus 340 mijë lek copë për çdo reklamë të ngjitur në shtyllë në mënyrë të paligjshme

-Dëmtimi i rrjetit ajror nga punimet pa leje                 200 mijë lek plus 520 mijë lek

-Ndërhyrje në kuadrot e komandimit për ndriçimin publik    200 mijë lek plus 420 mijë lek copa për çdo shtyllë ku ke dëmtuar kuadrin e komandimit

 

Kategoria e tretë e gjobave për ujin:

-Lidhjet e pamiratuara në tubacionet e ujit                 200 mijë lek plus 230 mijë lek për çdo metër linear ndërhyrje

-Dëmtimi i pusetave të kanalizimit                             200 mijë lek plus 110 mijë lek për çdo copë pusete që ke dëmtuar

Dëmtimi i hapësirave të gjelbra :

Gjoba për të gjitha kategoritë e dëmeve                     200 mijë lek, por për çdo metër katror që ke dëmtuar aplikohen këto tarifa:

-Rehabilitimi i 1 metër katror sipërfaqe bari tapet e dëmtuar 10 mijë lek për çdo metër katror që i ke dëmtuar barit të qytetit

-Rehabilitimi për 1 metër katror sipërfaqe lule sezonale         63 mijë lek për çdo metër katror që i ke vandalizuar

-Përveç gjobës 200 mijë lek rehabilitimi për një copë shkurre dekorative është në moshën 5-vjeç e poshtë 39 mijë lek për çdo shkurre dekorative që qytetarët kanë paguar me taksat e tyre dhe që dikush nga ata që ju mbroni e ka vandalizuar

-Rehabilitimin e një copë shkurre dekorative nga 5-10 vjeç, pra kur investimi ka qenë më i madh   58 mijë lek copa mbi 200 mijë lekëshin e gjobës.

-Rehabilitimi i një cope shkurre dekorative mbi moshën 10 vjeç        78 mijë lek dëmi, mbi 200 mijë lekëshin e gjobës

-Rehabilitimi i çdo peme që këputet apo drurit që dëmtohet             200 mijë lek dhe për çdo dru dhe pemë deri në moshën 5 vjeçare, 189 mijë lek copa

-Rehabilitimi i çdo druri dekorativ nga 5-10 vjeçare                          283 mijë lek dëmi, mbi 200 mijë lekë gjobën

-Për vendosjen e posterave pa leje                                          200 mijë lek

– Për çdo copë posteri në pemë                                               5000 lek

-Për çdo dëmtim të fasadës                                                    200 mijë lekë gjoba, paguhet edhe 32 mijë lekë për metër katror që i ke dëmtuar fasadës së qytetit.

–     Për vendosje tabelash, pankarta pa leje                            200 mijë lekë gjoba dhe 43 mijë lekë për metër katror që ke dëmtuar e meqë e përmendët.

–     Për të gjithë ata që urinojnë, pështyjnë, hedhin mbeturina mbi tokën e shenjtë të qytetit të Tiranës                                           200 mijë lekë gjoba e unifikuar

SHKARKO APP