Këshilli Bashkiak Pogradec, KQZ rrëzon aktin që kërkonte ndryshimin e mandateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 5 vota kundë dhe 1 votë pro kundër rrëzoi pr/aktin që propozonte një ndryshim në vendimin për shpërndarjen e mandateve për këshillin e Bashkisë Pogradec, Qarku Korçë.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh kundër këtij akti duke e braktisur mbledhjen e Komisionit në momentin e votimit.

Propozimi i sjellë nga administrata zgjedhore synonte korrigjimin e një gabimi në vendimin nr.920 të KQZ-së për shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Pogradecit.

Sipas bazës elektronike të të dhënave nuk është pasqyruar saktë rezultati i votave për qendrën e votimit 38.921, ku 7 vota që i përkasin subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Moderuar, i janë hedhur gabimisht subjektit Partia Demokristiane.

Nga pasqyrimi i rezultateve të sakta, sipas tabelave të rezultatit të GNV-së, të kësaj qendre votimi do të ndodhte ndryshimi dhe në shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit të drejtuar nga PD-ja, APPD.

Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, e vetmja që votoi ‘pro’ aktit, pranoi gabimin njerëzor të bërë nga administrata zgjedhore, duke u shprehur për korrigjimin e tij, përmes miratimit të këtij ndryshimi.

“Jemi para një fakti që nuk është ri.

Edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 janë marrë një sërë vendimesh, që më pas janë korrigjuar.

Kjo praktikë e ndjekur nuk mundet të konsiderohet e drejtë në 2011-n dhe e padrejtë në 2015-n.

Jemi para gabimeve të bëra nga ne dhe në këtë situatë nuk mund të rri e të mbaj pozicionin e kolegëve parafolës. Duhet të bëhet korrigjimi në këtë material, pasi një gabim njerëzor i yni nuk duhet të reflektohet me heqjen e një mandati”, u shpreh kryetarja Luzi.

Nga ana e tij, nënkryetari Denar Biba e konsideroi aktin e sjellë nga administrata si të pabazuar në ligj dhe që si i tillë as nuk mund të votohej.

“Nuk mund të votoj as ‘pro’ dhe as ‘kundër’ një pr/vendimi që është i pabazuar në ligj. KQZ është një person juridik që nuk ka vullnete të veta, pasi vullnetin ia dikton vetëm ligji”, u shpreh Biba.

Duke refuzuar të marrë pjesë në votim ai u largua nga salla e mbledhjes.

Rrëzimi i këtij propozimi mbajti të pandryshuar shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak të Pogradecit, ku ne zgjedhjet e 21 qershorit, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane siguroi 21 mandate, ndërsa ai i djathtë Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet 10 mandate.

Shpërndarja e mandateve sipas partive politike brenda koalicioneve është si më poshtë:

KOALICIONI Aleanca për Shqipërinë Europiane 21 mandate
Partia Socialiste e Shqipërisë 7
Lëvizja Socialiste për Integrim 5
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1
Fryma e Re Demokratike 1
Partia Personat me Aftësi të Kufizuar 1
Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 1
Partia Demokracia e Re Europiane 1
Aleanca Demokratike 1
Partia G99 1
Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian 1
Partia Ligj dhe Drejtësi 1

KOALICIONI Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet 10 mandate

Partia Demokratike 5
Partia Republikane 1
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 1
Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë 1
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re 1
Partia Bashkimi Demokrat 1

SHKARKO APP