Këshilli i Europës rrëzon 30 qershorin e Edi Ramës

-Deklaratat e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës hedhin poshtë farsën e votimeve moniste të Partisë Socialiste: “Zgjedhjet nuk ishin demokratike. Nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e Shtetit pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”.

Votimet një partiake të 30 qershorit kanë marrë dje një goditje të fortë nga autoriteti i vetëm ndërkombëtar që monitoron demokracinë në pushtetin vendor; Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Drejtuesit më të lartë të këtij institucioni ishin prej dy ditësh në Shqipëri, në një mision faktmbledhës për të parë nga afër situatën në bashkitë e Shqipërisë, pas votimeve të kontestuara të Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e Këshillit të Europës, pasi janë njohur me votimet e turpshme, situatën në bashkitë e vendit ku de fakto drejton qeveria dhe jo kryebashkiakët, duke parë dhe listën e gjatë me emrat e kryebashkiakëve të dënuar për krime, kanë vënë alarmin jo thjesht për farsën e votimeve, por për degradimin e demokracisë në Shqipëri. Presidenti i Dhomës së Rajoneve të Kongresit, Gunn-Marit Helgesen, në një deklaratë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës për konkluzionet e takimit  shkruan  se zgjedhjet nuk ishin demokratike. “Për fat të keq, zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”, deklaroi Gunn-Marit Helgesen.

Në njoftimin zyrtar të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës përfshihet edhe deklarata e Presidentit të Kongresit, Anders Knape. Kreu i kongresit thekson se nëse nuk ka demokraci në pushtetin vendor (bashkitë) nuk mund të ketë demokraci në gjithë shtetin. “Nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e Shtetit pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal. Kongresi do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për konsolidimin e vetëqeverisjes territoriale me anë të krahasimit dhe bashkëpunimit të synuar. Forcimi i konsultimeve midis qeverisë qendrore dhe nivelit lokal dhe luftës kundër korrupsionit janë të një rëndësie të veçantë për Kongresin në këtë drejtim”,- tha Knape. Në këtë mënyrë, kreu i përfaqësuesve të KiE ka goditur gjithë kaosin që ka prodhuar 30 qershori. Kryebashkiakët nuk janë zgjedhur në mënyrë demokratike dhe për pasojë Shqipëria nuk mund të pretendojë se është një shtet demokratik.

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ishte një nga institucionet ndërkombëtare që nuk pranoi të merrte pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërkohë dhe OSBE/ODIHR që monitoruan procesin, në fund të tij, miratuan raportin më kritik që është bërë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Këshilli i Europës dhe Kongresi i Autoriteve Lokale monitorojnë në mënyrë të ndarë proceset demokratike për qeverinë qendrore dhe bashkitë. Por që pas 30 qershorit, ku me votime moniste u zgjodhën 60 kryebashkiak të PS-së në Shqipëri nuk ka më ndarje të pushteteve dhe bashkitë praktikisht drejtohen vetëm nga qeveria “Rama”. Kur vet përfaqësuesit e Këshillit të Europës deklarojnë se në Shqipëri nuk ka më demokraci në pushtetin vendor, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.

Ky është një paralajmërim se në tetor po shkojmë drejt zgjedhjeve jo vetëm parlamentare, por edhe vendore.

SHKARKO APP