Këshilli i Ministrave të BE: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë
Në një kohë që Europa është bërë vatër dhe epiqendër e Covid-19, një lajm i mirë vjen nga Këshilli i Ministrave të BE-së për çështjet europiane, të cilët dhanë sot Po-në për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. ”Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkroi në Twitter, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.
Nga ana tjetër, Ministri gjerman i Europës, Michael Roth, (SPD) tha në Berlin para video-konferencës për media, se sa i rëndësishëm është ky vendim. ”Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i largët, por është oborri i brendshëm i Bashkimit Evropian. Është në interesin tone të përbashkët që ky rajon të gjejë qetësi, paqe, qëndrueshmëri dhe shtet juridik të përhershëm. Dhe unë jam shumë i lumtur që ne sot kemi mundësi të vëmë një sinjal të qartë që BE-ja i mban premtimet e saj dhe që perspektiva e anëtarësimit në Ballkan vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në facebook, bëri me dije se do të ketë një komunikim të rëndësishëm në orën 15:30. ”Sot në 15:30 kam një mesazh për ju mbi vendimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ndihmën konkrete financiare që do të lëvrojmë për biznesin e vogël familjet në ndihmë ekonomike përfituesit e pagesës së papunësisë. O do t’ia dalim, o do t’ia dalim, Zoti i Shqiptarëve është i Madh”.