Këshilli i Sigurisë Kombëtare: Shqipëria është në krah të Ukrainës
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, u tha nga ana e Presidentit Ilir Meta dhe anëtarëve se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës. ”Në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale”,-thuhet në njoftimin e Presidencës.
Njoftimi i plotë nga Presidenca për takimin që Presidenti Ilir Meta mbajti sot me Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti i Republikës, Ilir Meta thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në kufirin Ukrainë-Rusi, si dhe rreth pasojave të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë.
Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konfirmuan se, Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale.