Këshilli Politik, Mustafaj: Jo optimist për një marrëveshje realiste. Lista e kandidatëve të PD, gati në fund të muajit

Besnik Mustafaj nuk është optimist për një marrëveshje realiste në Këshilin Politik që do të kënaqë të gjitha palët. I ftuar në News24, në rubrikën “Opinion”, Mustafaj e argumentoi qëndrimin e tij, me faktin se palët nisen nga premisa të ndryshme.

“Çfarë lloj liste do jetë nuk e di as unë. Komisioni është në ngërç sepse dy palët nisen nga premisa të ndryshme. Delegacioni i opozitës ka një premtim, të mishëruar në një marrëveshje që do të ketë koalicione dhe delegacioni i PS ka një ligj të miratuar në parlament që de fakto e bën të pamundur krijimin e koalicioneve por kryeministri Rama tha në parlament se do ketë koalicione.

Të dyja palët kanë realitete të ndryshme ligjore. Unë nuk jam optimist se do të mund të arrihet një marrëveshje realiste që do të kënaqë të dyja palët sepse janë premisa të ndryshme”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket impaktit që do ketë tek opozita, Mustafaj tha se tek opozita ndikon shumë, në këtë fazë.

“Të gjitha sondazhet e nxjerrin fituese opozitën, por si opozitë, mbi bazën e koalicioneve që kanë shërbyer në betejat e tjera elektorale. Kjo është arsyeja. Opozita dhe psikologjikisht ka punuar për 3 vjet me idenë që do jetë bashkë. I mbetet opozitës të përshtatet. Mendoj që PD dhe gjithë opozita do të gjejnë mundësinë t’i maksimalizojnë votat e tyre”, tha ai.

Në lidhje me ofertën e opozitës për zgjedhjet e përgjithshme, Mustafaj u shpreh se për këtë po ndihmon shumë partia e Merkel. Ndërkohë si pjesë e komisionit të vlerësimit të kandidaturave për deputetë në PD, ai u shpreh se në fund të muajit do ketë një listë konkrete.

“Unë 30 vjet kam që e ndjek politikën në Shqipëri. Unë kam parë vetëm njëherë të fitohen zgjedhjet me tepsi dhe timon pa asnjë ofertë. Mendoj se PD dhe opozita do kenë një ofertë për t’iu përgjigjur gjendjes në vend dhe aspiratës dhe nevojës që ka shoqërisë shqiptare për të shkuar përpara. Unë besoj se po, po punohet me këtë program. Me këtë program po ndihmon shumë CDU, partia e Merkel. Unë bëj pjesë në komisionin e vlerësimit të kandidaturave dhe këtu po japim një kontribut modest. Ne po avancojmë, besoj në fund të këtij muaji do dalim me emra konkretë. Ne do japim një listë kryesisë së PD. PD do i çojë këto emra për votim një anëtar një votë, në anëtarësinë e PD”, u shpreh Mustafaj.

SHKARKO APP