Këshilli Politik, Vasili: Mazhoranca po e bllokon, kërkon zgjedhje të njëanshme
Opozita e Bashkuar, e përfaqësuar nga dy përfaqësuesit e saj, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin kanë folur lidhur me mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë në Këshillin Politik.
Në prononcimin e tij për mediat, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh se Partia Socialiste nuk pranon që ndryshimet kushtetuese t’i çohen OSBE/ODIHR-it dhe në këtë mënyrë po bllokohet procesi i Këshillit Politik.
Në këtë mënyrë, thotë nënkryetari i LSI-së, po synohen zgjedhjet e njëanshme.
“Është vërtet skandaloze, që një vend si Shqipëria, që ka marrë përsipër të drejtojë OSBE-në, pasi është drejtuesja e radhës, bllokon çdo komunikim me të. Së dyti, siç patët mundësi ta ndiqni nga Gjiknuri, mazhoranca erdhi në Këshill me qëllime shumë të përcaktuara, dhe në Këshill erdhi pa pasur asnjë draft ligjor për këtë çështje. Së treti, situata është akoma më skandaloze pasi ndërkohë që demonstrojmë një preokupacion për të ecur shpejt, dhe akuzat se ne po e vonojmë, refuzuan që të vazhdojnë diskutimin e tyre që nesër. Lidhet me bllokimin që i bëjnë Këshillit Politik, zgjedhje të njëanshme, këta nismëtarë kaq të sigurt s’kanë bërë asnjë draft të vetëm. Duan të mbetet në rekordet, që Shqipëria që drejton OSBE bllokon komunikimin e OSBE. Standarde të njëanshme duke bërë precedentin më të turpshëm”, tha Vasili.
Nga ana tjetër Oerd Bylykbashi i ka qëndruar fort bindjes se koalicionet parazgjedhor janë në Kodin Zgjedhor dhe nuk duhen ç’draftuar apo rishkruar pasi funksionojnë me Lista të Hapura. Ai shton se mazhoranca sot nuk kishte asnjë draft ligjor.
Më tej Vasili konfirmoi se Opozita e Bashkuar mbajti qëndrime vetëm në respektim të dy marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit.
“Gjithçka sot që është diskutuar, debatuar, respektonte nga ana e Opozitës së Bashkuar marrëveshjen e 14 janarit, kur palët kanë distanca të caktuara i drejtohen OSBE/ODIHR, dhe respektojnë 5 qershorin. E gjithë strategjia e komunikimit me OSBE, Listat e Hapura dhe të tjera, kërkon ndryshime të njëanshme që çojnë në objektivin e çmendur”, tha nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.