KiE dërgon ”Antishpifjen” në Venecia, Mehmetaj: Vërteton se vendi ka rrëshkitur në diktaturë
Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, përmes një postimi në facebook, shprehet se mbështet vendimin e Këshillit të Europës për ta dërguar ”Antishpifjen” në Venecia. Sipas saj, këtë precedent KiE vendos me Shqipërinë dhe që për nënkryetaren e LSI-së, vërteton se vendi ka rrëshkitur në diktaturë. ”Edi Rama dhe shpura e tij gënjyen me sa duket publikisht, kur deklaruan se ligjet kundër medias online i kishin rakorduar me OSBE, ndërkohë menjëherë pasi Presidenti i ktheu ligjet në Parlament, regimet e OSBE dhe BE në mbështjetje të rishkrimit të ligjeve ishin të menjëhershme”.
Postimi i plotë
Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që Këshilli i Europës të dërgojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias ligje të miratuara nga një vend “demokratik” kundër lirë së medias. Dhe ja, këtë precedent e vendos me Shqipërinë, duke kërkuar shqyrtim nga Komisioni i Venecias për “Paketën Antishpifje”, për të na vërtetuar edhe njëherë që vendi ka rrëshkitur në diktaturë. Edi Rama dhe shpura e tij gënjyen me sa duket publikisht, kur deklaruan se ligjet kundër medias online i kishin rakorduar me OSBE, ndërkohë menjëherë pasi Presidenti i ktheu ligjet në Parlament, regimet e OSBE dhe BE në mbështjetje të rishkrimit të ligjeve ishin të menjëhershme.
E gjithë kjo situatë nuk është e rastësishme, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore e më pas cënimi i lirisë së medias janë hapat e fundit që ndërmerr një autokrat për të vendosur kontroll total mbi shtetin. Edhe pse ky akt i KiE është i rëndë dhe zbulon fytyrën e kësaj qeverie në arenën ndërkombëtare, në këtë vend skandalet nuk kanë të sosur.
Çdo ditë prodhon ngjarje që marrin njëra-tjetrën me aq shumë intensitet, sa edhe pse shumë të rënda, i harrojmë në pritje të bëmës së rradhës. Vjedhje, korrupsion, drogë, bomba, vrasje, shkatërrime, mashtrime.. Askush nuk kursehet; Kryeministri, ministra, kryetar bashkish. Shqipëra bie në treguesit e saj pothuaj në çdo fushë e qytetarët emigrojnë çdo ditë. Vendi nuk e meriton gjithë këtë e aq me pak shqiptarët. Koha nuk pret për reflektim, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, ndryshe në pak vite Shqipëria do të jetë boshatisur.