Killer me pagesë, heronjtë që u bënë vrasës

Nga: Redjon Shtylla

Ekzekutimi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha në malin e Dajtit, tregon pastër dhe qartë sesa të përgatitur dhe të sofistikuar janë vrasësit në Shqipëri. Autor të dyshuar të krimit në fjalë janë vëllezërit Rrushi, të cilët e mohojnë, edhe pse janë në burg. Rrëmbimi, torturimi dhe më pas vrasja në malin e Dajtit, tregojnë se kemi të bëjnë me vrasës gjakëftohtë, që mendojnë çdo detaj, gjithçka, por edhe që gabojnë. Kemi të bëjnë me vrasës të mirë stërvitur dhe ky bagazh vjen veç se nga radhët e ushtrisë.

Nuk është ky rasti i parë i një vrasje të mirëmenduar. Në vendin tonë janë regjistruar vrasje të frikshme, që mund të vijnë vetëm nga njerëz të përgatitur, që kanë një bazë të fortë ushtarake mbi supe. Prej vitesh është përfolur se vrasësit me pagesë mund të vijnë nga radhët e ish-ushtarakëve që kanë kryer misione në vende ku ka luftë dhe që janë po ashtu të mirë përgatitur.

Çdo krim duhet trajtuar dhe dënuar sipas ligjit. Nëse një ushtarak e trajnon 10 vjet si makinë dhe i jep 30 mijë lekë pa i lënë asnjë shans të jetojë si qytetarët e tjerë, mos prisni që kur largohen nga ushtria të sillen si njerëz normal. Fatkeqësisht shumë prej krimeve kanë ndodhur nga ushtarakët që kanë marrë pjesë në misione të rrezikshme në Irak dhe Afganistan. Një pjesë prej tyre kanë marrë medalje nga Shqipëria, SHBA dhe NATO dhe janë vlerësuar si heronj.

Ngjarjet kriminale të viteve të fundit në Shqipëri kanë shtuar në masë vrasësit me pagesë. Statistikat si një tregues i rëndësishëm i sigurisë publike, tregojnë se vrasjet me dashje janë relativisht një zbulueshmëri të ulët. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se efektshmëria në zbulimin e tyre ka pësuar luhatje në dekadën e fundit, ku trendi ka qenë rënës.

Qasja e policisë jo vetëm ndaj krimit të organizuar po edhe ndaj qytetarëve duhet të ndryshojë. Shumica e krimeve të rënda mbeten ende pa autor. Më herët ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka thënë se policia nuk mund të ndjekë nga pas cdo makinë, por ndërkohë sipas tij janë disa gjykatës dhe prokurorë tha ai që po pengojnë punën e policisë me masat e lehta që japin.

SHKARKO APP