Kim nuk është Yuri, por SHBA-ja
Nga Lindita KOKOLI-
Ambasadorja amerikane Yuri Kim po manifeston se mbetet ambasadorja më e fortë e historisë amerikane në Tiranë pas vitit 1991. Qëkur erdhi, pasi kishte studiuar në Uashington gjithçka për vendin tonë, politikën dhe pengmarrësit e demokracisë shqiptare; ambasadorja Kim është aktive dhe nuk preferon të jetë dëgjuese.
Me një mandat të fortë zyrtar, shtuar edhe nga pasioni personal për një pastrim të politikës nga lidhjet me krimin, Yuri Kim nuk ka hezituar të tregojë dhëmbët amerikanë kundrejt disa politikanëve të këtushëm, të cilët realisht duhej të ishin në pension ose diku tjetër ku SPAK ka disa “dhoma VIP”.
Dikush mund ta quajë si një “Guvernatore”, por duke qenë se SHBA-të janë dhe do mbeten aleatët tanë strategjikë më të rëndësishëm ndaj çdo prezencë e ambasadores shikohet si një rreze shprese se ky vend nuk mund të mos ketë të ardhme demokracie.
Ambasadorja Kim e di mirë (nuk themi vetëm me metodat speciale të përgjimit amerikan) se ata që diktojnë fatet e vendit tash tre dekada janë të lidhur pazgjidhmërisht me njeri tjetrin, sepse po u këput një hallkë e zinxhirit të tyre, të gjithë ikin në pak muaj.
Ndaj duket se ajo ndikoi në këputjen e një hallke të vjetër të zinxhirit me personin nongrata për të shkuar më tej të hallkat e tjera të këtij zinxhiri shumë vjeçar që bëjnë ligjin në Shqipëri.
Natyrisht që SHBA-ja ka interesa strategjike në Ballkan dhe ku Tirana luan një rol të madh në mbrojtjen e këtyre interesave rajonale, por demokracia amerikane ka prioritet zbatimin e ligjit ndaj kujtdo e në çdo kohë.
Kësisoj Ambasadorja nuk heziton të jetë e kudondodhur në Shqipëri, duke mos patur merak nga akuzat që vijnë nga taborri i frikësuar në Bulevardin kryesor apo nga zyrat politike në një kullë afër pallatit të Kongreseve.
KOHA JONË SONDAZH

