”Kisha në plan 4 vrasje”, Gjykata e Tiranës shpjegon pse liroi vrasësin monstruoz. 6 krime në 33 minuta

Tre vrasje dhe tre plagosje në 33 minuta. As burgu nuk e ndaloi 40-vjeçarin Dan Hutra që të zbatonte planin e tij për hakmarrje. Vrasësi serial i 3 grave dhe plagosjes së 3 grave të tjerave, ishte i ftohtë kur rrëfeu para hetuesve planin e tij.

Ai thotë se ka pasur objektiv final të kryejë 4 vrasje, plan të menduar që pas daljes nga burgu. Ai ka dëshmuar se në fillim donte të vriste 40-vjeçaren në Astir, por sipas tij ajo u largua. Dan Hutra ka pretenduar se vrasjen ndaj Marjana Gurakuqit donte ta kryente për shkak të një borxhi prej 80 mijë eurosh.

Më pas ai shkoi në Kodër-Kamez, sepse donte të vriste ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk ishte në shtëpi, ai qëlloi ndaj grave. Ai vrau motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses të tij. Më pas Hutra ka vijuar tek banesa e vëllain të Vladimir Kurtit, por aty vrau motrën e tyre. ”Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllanë e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar”.

Ai ka folur edhe për vrasjen e katërt që planifikoi në Sharrë të Rrahman Selës me pretendimin se kishte ndihmuar në sigurimin e armës për vrasjen e babait të tij 23 vite më parë.

Pas arrestimit për dhunë familjare në qershorin e vitit 2022, Gjykata e Tiranës sqaron se Hutra u dënua fillimisht me një vit e gjashtë muaj, masë e ulur në një vit jo për shkak të deklaratave noteriale që dëshmonin sipas avokates së tij Klodiana Sanxhaku “normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, si dhe akte të tjera që vërtetonin gjendjen e rëndë shëndetësore të nënës së të pandehurit, e cila jetonte vetëm me këtë të fundit”, gjë që nuk u morr parasysh, por për efekt të gjykimit të shkurtuar.

Më 15 shkurt, një ditë para lirimit të Hutrës, avokatja e tij paraqet kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm pasi për nenin 261 të Kodit Penal “masat e sigurimit shuhen kur kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se sa masa e dënimit të caktuar”.

SHKARKO APP