Kisha unike që pret sfidante njerëzinë e ardhme
Nga Aleksandër Çipa-
Leusa, fshati ku skulptori më i famshëm shqiptar Odise Paskali kaloi fëmininë dhe shkollën fillore.
Aty Nonda Bulka, i njohur më së shumti në publicistikën dhe letërsinë tonë me heteronimin Kri Kri, la gjurmë të pazhbëshme trashëgimie. Por edhe emra të tjerë të famshëm të studimeve si Profesor Androkli Kostallari etj,…, ishin pasues të filantropistëve dhe tregëtarëve më të famshëm të Dangëllisë dhe viseve jugore.
Fatkeqësisht përmendja e emrave të shquar që kanë lidhje me këtë vend periferik, duhej nisur më herët dhe me përmendje meritorësh më në hershmëri. Kjo është pazotësi e shkruesit të këtyre radhëve, por si e tillë vlen për grishje për gjithë më të informuarit dhe dijepasësit për Leusën.
Kisha e Shën Mërisë së Leusës është një ndër objektet më unike, në krejt rrjetin e objekteve të vjetra religjionare shqiptare.
E gjendur në guidat e vjetra dhe të reja.
Për të mbërritur deri tek ajo, duhet të ndjekësh një rrugë jo më shumë se 1.5 kilometra jashtë qytetit të Përmetit. Ajo është një godinë që investimin më të shenjuar ka atë të vitit 1617. Emra të njohur të studimit dhe njohjeve të arkitekturës bizantine dhe asaj të periudhës unitare e çmojnë si një kryevepër shqiptare të mbetur.
E mbetur, por e lënë në mëshirë të fatit dhe kohëve(!).
Restaurimet kanë qenë dhe fatkeqësisht,janë të pamjaftueshme. Sikundër vjedhjet dhe plaçkitjet kanë qenë dhe mbeten të ripërsëritshme!…
Dy përvoja të vyera janë mishëruar në sendërzimin e artefakteve të mjediseve të brendshme të kësaj kishe: Fondi i pikturave murale është nga më të pasurit në krejt fondin e muralistikës dhe ikonografisë ballkanike. Një art befasues dhe magjepsës. Në një sipërfaqe si ajo, nuk mund të gjenden askund aq shumë imazhe dhe portrete biblike. Një gjuhë e fuqishme arti figurativ dhe kolorit unik. Mjeshtra të më shumë se katër shkollave në më shumë se katër shekuj, janë investuar në fondin e gravurave dhe ikonoklastisë së kishës.
Në më shumë se katër shekuj aty është shtresëzuar historia njerëzore e shërbesës, e lutjes, investimit, restaurimit, mirëmbajtjes, mistikës dhe spiritualitetit.
Në një objekt të tillë është përqëndruar aq shumë shkëlqim qytetërimi, sa krejt hapësira përreth të shtyn në trishtimin e varfërimit përgjatë kahut kohor të së ardhmes. Nuk ka asnjë dyshim, se si vizitor brenda interiereve të kësaj kishe, e ke të pamundur të dekodifikosh çdo ikonë dhe figurinë murale, ikonostasin, dekoracionet apo miniaturat në dru, gur, në pikturat murale dhe elementet e detajet arkitekturale. Një godinë e tillë është e denjë për metropole dhe e hijshme për të qëndruar përkrah kishave apo katedraleve të kryeqendrave europiane. Por ajo është e vendosur në fatin e degdisjes në Leusë.
Kisha e Shën Mërisë së Leusës është aty ku e shohin pak sy dhe e lakmojnë shumë peshkopë e shumë më tepër klerikë. Në hiret e brendshme të saj bëhen të pamjaftueshme të gjitha lakmitë, sidomos ato brenda së njëjtit religjion dhe prej fqinjësisë.. Sepse tek arti i brendshëm i saj janë të gjitha kohët, si dëshmi për të dhe asnjëra nuk ia del dot të bëhet tutore për ‘të.
Leusa është një fshat që e ka garantuar ardhmërinë e vet si pikë e lakmueshme e njerëzve të ardhshëm dhe turizmit religjionar europian, pikërisht dhe mjaftueshmërisht, prej së vetmes dhe unikes, Kishës së Shën Mërisë së Leusës.