Kishin ngecur në Kanionin e Gjipesë, shpëtohen tre turistët e rinj në Himarë (VIDEO)
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi dhe ato të Komisariatit Himarë në bashkëpunim me FNSH-në e Fierit dhe forcat zjarrfikëse, u vijnë në ndihmë tre turistëve që kishin ngecur në Kanionin e Gjipesë.
Mbrëmjen e djeshme, Policia ka marrë njoftim se tre turistë, duke eksploruar territorin në Kanionin e Gjipesë, Himarë, për shkak të terrenit të vështirë e kanë pasur të pamundur daljen e tyre nga Kanioni.
Njëri prej tyre është dëmtuar duke u përpjekur të dalë nga Kanioni.
Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, për gjetjen e tyre.
Pas 1 orë kërkimesh intensive, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe me ndihmën e FNSH-së dhe forcave të zjarrfikëses, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga kanioni të tre turistëve të moshave 21 vjeç, 18 vjeç dhe 15 vjeç, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Shtetasi që ka pasur lëndime në këmbë ka marrë ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.