Ja emrat dhe fotot e atyre që vendosin drejtësinë në Shqipëri
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë qëndron në majën e piramidës gjyqësore. Ajo siguron dhënien e barabartë dhe të paanshme të drejtësisë për të gjithë qytetarët në vend dhe vendos standardet e një gjykimi të drejtë. Gjykata e Lartë e ushtron pushtetin në përputhje me parashikimet Kushtetuese dhe ligjin.
Me mijëra janë qytetarët që fatin e halleve të tyre e kanë në dorë pikërisht këta që po botojmë.
Ja gjyqtarët e gjykatës së lartë që japin drejtësi:
Sokol Sadushi

Sokol SADUSHI u lind më 27 korrik 1963. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitin 1986 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ka ushtruar profesionin e juristit në pozicionin si prokuror, pedagog universitar, avokat dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në vitin 1991 fillon mësimdhënien si lektor i të drejtës administrative pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe nga viti 1997 e në vijim në Shkollën e Magjistraturës, Tiranë. Në vitin 2006 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2013 merr titullin Prof. Asoc. Dr.
Është autor i shumë punimeve dhe artikujve me karakter studimor në fushën e të drejtës administrative, të drejtës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut. Ka botuar librat “E Drejta Administrative 2”, “Kontrolli kushtetues”, “Drejtësia kushtetuese në zhvillim”, “Gjykata adminitrative dhe kontrolli ligjor mbi adminitratën, “E drejta administrative procedurale”. Është gjithashtu bashkëautor në librat “Komentar i Kodit të Procedurës Administrative”, “Vështrim krahasues mbi procedurën civile”, “Çështje të së drejtës administrative në vështrimin krahasues”, Komentar “Mbi reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë (2016)”.
Në muajin prill të vitit 1998, Sokol Sadushi zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e përfundon në korrik të vitit 2011. Nga muaji maj 2013 deri në korrik të vitit 2014 kryen detyrën e Rektorit të Shkollës së Lartë JoPublike “Luarasi”. Në muajin nëntor 2014 zgjidhet Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, detyrë të cilën e ushtron deri në mars 2020.
Me dekretin Nr.11452 të Presidentit të Republikës, datë 11 mars 2020 emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Sokol Sadushi drejton gjykatën e lartë si zv/kryetar i votuar nga kolegët. Por luan edhe rolin e kryetarit.
Ervin Pupe

Ervin PUPE u lind në Tiranë, më 21 Shkurt 1973. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet e larta në Drejtësi në vitet 1991-1995 dhe më pas studimet pasuniversitare në fushën e së drejtës civile në vitet 2001-2003 në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.
Në vitet 2003-2005 ka kryer studimet pasuniversitare në të drejtën europiane pranë I.E.U.G të Universitetit të Gjenevës (Zvicër). Ai ka marrë Gradën shkencore “Doktor” në shkencat juridike në profilin e së Drejtës Civile në vitin 2009 dhe titullin shkencor “Profesor i asociuar” në vitin 2015. Në vitin 1995 ka ushtruar profesionin e juristit pranë Drejtorisë Juridike të ish-Ministrisë së Punës dhe Emigracionit. Në shkurt të vitit 1996 emërohet pedagog me kohë të plotë, pranë departamentit të së drejtës civile në Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, si lektor/bashkëlektor në lëndët “E Drejta Private e Bashkimit Europian” dhe “E Drejta e Detyrimeve dhe e Kontratave”. Pas vitit 2013 ka qënë pedagog në dispozicion në lëndën e së drejtës civile (detyrime) në programin e trajnimit fillestar dhe ekpert ligjor në programin e trajnimit vazhdues për gjyqëtare e prokurorë, pranë Shkollës së Magjistraturës.
Nga shtatori i vitit 2013 ka drejtuar Shkollën e Avokatisë pranë Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, deri në mars të viti 2020. Nga viti 2007 deri në mars 2020 ka ushtruar profesionin e avokatit si dhe ka qënë disa herë ekpert i së drejtës brenda dhe jashtë vendit i kontraktuar nga organizma si Instituti Europian i Tiranës, Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE), ICSID – International Centre for Settlement of Investment Disputes, ABA ROLI (American Bar Association – Initiative Rule of Law).
Është autor i disa përmbledhjeve e cikleve të leksioneve në fushën e së drejtës kontraktore, të së drejtës civile të krahasuar, të së drejtës së Bashkimit Evropian, etj., autor i disa shkrimeve në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrës e referues në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu ai është autor, bashkëautor, apo redaktor shkencor në disa raporte ekspertize ligjore si dhe në manuale profesionale në fushën e profesionit të avokatit.
Me dekretin Nr.11453 datë 11.03.2020, Presidenti i Republikës e emëroi Z. PUPE, Gjyqtar të Gjykatës së Lartë, nga rradhët e juristëve të spikatur.
Ilir Panda

Ilir PANDA ka lindur në Tiranë, më 8 Gusht 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës,në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”.
Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Z. Panda ka qenë, gjithashtu, Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Me dekretin Nr.11454, datë 11 Mars 2020, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.
Sokol Binaj

Sokol Binaj u lind më 19 janar 1961 në Gjirokastër. Gjatë viteve 1981-1985 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, diplomuar me titullin “Jurist”. Pas përfundimit të studimeve, emërohet Gjyqtar në Gjykatën Rrethit Gjyqësor Tiranë prej datës 15.08.1985 – 16.11.1990. Në përiudhën 2001-2004 ka ushtruar detyrën e Shefit të Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm. Në vitin 2004 është emëruar Gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tirane dhe në dhjetor 2019 është caktuar në pozicionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.
Z. Binaj është ftuar si ekspert në disa trajnime të rëndësishme në të drejtën penale dhe procedurën penale, është trajnues, udhëheqës i temave të diplomës së studentëve të Shkollës së Magjistraturës, si edhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete trajnimi kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës.
Me dekretin nr. 12030, datë 19/03/2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Albana Boksi

Albana Boksi u lind më 7 tetor 1974 në Shkodër. Në vitet 1993 – 1997 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Në vitet 1998 – 2001 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, Tiranë, duke fituar titullin “Magjistrat Gjyqtar”. Në vitin 2011 ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë Tiranë, në nivelin “Master shkencor në të drejtën penale”.
Në vitet 2000-2001, me dekret të Presidentit të Republikës të datës 15/09/2000, është emëruar “Gjyqtare”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka kryer stazhin profesional. Në vitet 2001-2006, me dekretin nr. 3111, datë 02/10/2001 të Presidentit të Republikës, është emëruar “Gjyqtare”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në vitin 2006, me dekretin nr. 4793, datë 28/02/2006, të Presidentit të Republikës, është emëruar “Gjyqtare” pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë. Prej muajit maj 2011 deri maj të vitit 2014, ka punuar si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës. Gjatë viteve 2014 – 2019 ka ushtruar funksionin e Gjyqtares në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, dhe në muajin dhjetor 2019 është caktuar në pozicionin e Gjyqtares në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Me vendimin nr. 208, datë 11/10/2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Boksi është caktuar në pozicionin e ‘Këshilltarit për Etikën’, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, pa u shkëputur nga ushtrimi i detyrës së gjyqtarit.
Znj. Boksi, ka një eksperiencë të pasur në fushën e mësimdhënies në disa univeristete publike dhe private. Ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës. Është bashkëautore në disa botime e studime si; “Manual i Etikës Gjyqësore”, “E drejta për akses në gjykatë në çështjet civile”, etj., si edhe pjesë e grupit të ekspertëve në hartimin e Komentarit Elektronik të Kodit të Procedurës Penale.
Me dekretin nr. 12031, datë 19/03/2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lartë.
Sandër Simoni

Sandër Simoni u lind më 4 shkurt 1974 në Shkodër. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në vitet akademike 1992 – 1996. Ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës me brezin e parë të saj në vitete 1997 – 2000 dhe është titulluar “Magjistrat“. Është doktorant pranë Departamentit të së Drejtës Penale të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Në vitet 1996 – 1997 ka punuar si ndihmës – gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Shkodër. Në vitin 1999 – 2000 ka kryer stazhin profesional si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Shkodër ku dhe është emëruar gjyqtar në vitin 2000. Në dhjetor të vitit 2003 është dekretuar gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe në të njëjtën kohë është komanduar si Kryetar i saj, pozicion në të cilin është emëruar më tëj në vitin 2004, duke u zgjedhur në këtë funksion drejtues disa mandate rradhazi deri në dhjetor të vitit 2019. Në dhjetor të vitit 2019 me krijimin e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është emëruar si gjyqtar në këtë Gjykatë, duke u caktuar në të njëjtën kohë si Kryetar i kësaj Gjykate, pozicion të cilin e ka mbajtur deri me datën 19 mars 2021.
Është pedagoj i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës lënda “Procedurë Penale”, ekspert, trajnues, udhëheqës stazhi e punimesh të studentëve të kësaj Shkolle. Është autor i disa manualeve kryesisht për veprat penale të trafikimit të qënieve njerëzore e mbrojtjen e viktimave të trafikimit të hartuara në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare, autor i shumë shkrimeve, botimeve në revistat kombëtare e ndërkombëtare, studimeve, pjesmarrës e referues në shumë Konfererenca Ndërkombëtare brenda e jashtë vendit. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës e në të njëtën kohë ka qenë anëtar në shumë komisione, borde, grupe pune në lidhje me ndryshimet legjislative dhe projektet në fushën e drejtësisë.
Me dekretin 12032 datë 19.03.2021 të Presidentit të Republikës është dekretuar gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Klodian Kurushi
Klodian KURUSHI u lind më 24 tetor 1975 në Tiranë. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tiranë në vitet akademike 1994–1998.
Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet akademike 1998–2001 (brezi i dytë), duke kryer stazhin profesional si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës 2000–2001.
Në vitet 2010–2012 ka kryer studimet pas universitare në nivelin “Master Shkencor” pranë Institutit të Studimeve Evropiane, Universiteti Tiranë, dega Legjislacion. Ai ka marrë gradën shkencore “Doktor” në shkencat juridike në profilin e së Drejtës së Procedurës Penale.
Në periudhën shtator 2001–nëntor 2005 ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Gjatë periudhës kohore 21.11.2005–18.12.2019 ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Shkallës së parë “Për Krimet e Rënda” Tiranë. Më datë 19.12.2019 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit dhe të Zv.Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” Tiranë.
Është autor i disa shkrimeve në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe pjesëmarrës dhe referues në disa Konferenca Shkencore në fushën e të drejtës penale dhe të procedurës penale. Është bashkëautor në hartimin e Komentarit Elektronik për Kodin e Procedurës Penale financuar nga Bashkimi Evropian dhe dorëzuar Shkollës së Magjistraturës.
Me dekretin Nr.12033 të Presidentit të Republikës, datë 19 mars 2021 emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Artur Kalaja

Artur Kalaja u lind më 20 Prill 1960, në Tiranë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë, në vitet akademike 1992 – 1996. Në vitin 1997, ka marrë nga Ministria e Drejtësisë licensen e ushtrimit të profesionit të Avokatit. Në vitet 1998 – 2001, ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, duke u diplomuar me titullin “Magjistrat – Gjyqtar”.
Në kuadër të kryerjes së praktikës profesionale të Shkollës së Magjistratures, me dekret të Presidentit të Republikës datë 15.09.2000, është emëruar Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Magjistraturës, me dekret të Presidentit të Republikës datë 02.10.2001, është emëruar Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Më datë 16.05.2006, me dekret të Presidentit të Republikës është emëruar Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Z. Kalaja, ka kryer studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë Tiranë, në nivelin “Master Shkencor në të Drejtën Civile”, në vitet 2009 – 2010, si edhe ka kryer disa trajnime në fushën e së drejtës, brenda dhe jashtë vendit. Ai është certifikuar nga Këshilli i Evropës, Strasburg, si “Trainer kombëtar për Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Prej disa vitesh ka qenë ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.
Me dekretin Nr.13173, datë 26.07.2021, të Presidentit të Republikës, është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Asim Vokshi

Asim Vokshi ka lindur në Korçë në 20 prill 1981. Është i martuar dhe ka një fëmijë.
Z. Vokshi është diplomuar në vitin 2003 me rezultate shumë të mira në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2006 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera Shkollën e Magjistraturës duke u renditur i pari. Në vitin 2008 përfundoi shkëlqyeshëm studimet master në shkencat civile pranë Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2013 përfundoi studimet LLM pranë Universitetit të San Diegos, Kaliforni, si përfitues i bursës Fulbright, bursë e dhënë nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2015 fiton gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës duke u vlerësuar me pikët maksimale.
Me dekretin nr.4656, datë: 03.10.2005 të Presidentit të Republikës emërohet gjyqtar dhe caktohet të kryejë stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me dekretin nr.5107, datë: 06.11.2006 të Presidentit të Republikës caktohet përfundimisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke e ushtruar këtë detyrë deri në nëntor 2016. Në këtë kohë me dekretin nr.9826, datë 08.11.2016 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Përpara ushtrimit të funksionit të gjyqtarit, z. Vokshi ka qenë pjesëmarrës në shoqërinë civile duke mbështetur aktivisht kauza me interes publik që lidhen me të drejtat e njeriut.
Përpos kontributit në gjyqësor, Asim Vokshi ka dhënë kontribut domethënës edhe në botën akademike, duke u angazhuar si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës nga viti 2006 deri në 2015 si dhe prej vitit 2020 si pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Z. Vokshi në vitin 2008 është certifikuar nga Këshilli i Europës si trajner kombëtar për Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu është angazhuar në vazhdimësi si ekspert i Shkollës së Magjistraturës për trajnimet vazhduese mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të drejtën e brendshme, në fushën e procedurës civile, të drejtës administrative, etj. Në sferën akademike ka dhënë gjithashtu një kontribut të vyer si autor dhe bashkautor i disa botimeve, cikël leksionesh dhe artikujve shkencore në fushën e procedurës civile, të drejtës civile dhe të drejtave të njeriut, nga të cilët veçojmë bashkëautorësinë në librat “Procedurë Civile” (Pjesa I-Botimi II, 2018) dhe “Procedurë Civile” (Pjesa II-Botimi II, 2018), si dhe ciklin e leksioneve për studentët e fakultetit të drejtësisë “E Drejta e Detyrimeve I” dhe “E Drejta e Detyrimeve II” (2008). Z. Vokshi është pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat ka referuar për tematika të ndryshme ligjore.
Me dekretin nr.13188, datë 29.07.2021 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Medi Bici

Medi Bici ka lindur në qytetin e Durrësit, është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitin 1994 është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të mira. Më pas ka kryer edhe dy studime pasuniversitare, njërin prej të cilëve e ka përfunduar me medalje ari. Ka një karrierë prej më shumë se 25 vjetësh në sistemin e drejtësisë, duke filluar që në vitin 1993 si nd/gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas diplomimit në vitin 1994 është emëruar në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilën e ka kryer për afro dhjetë vjet rrjesht, ndërsa në periudhën 2004-2010 ka kryer detyrën e gjyqtarit, pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Me Dekretin nr. 6579, datë 25.05.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar Anëtar i Gjykatës së Lartë, detyrë të cilën e ka kryer deri me datën 12.12.2018, kohë kur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë e ka zgjedhur si Anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat tre vjeçar. Në periudhën Janar-Dhjetor 2019 ka qenë njëkohësisht edhe anëtar zëvendësues në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Gjatë karrierës së tij si gjyqtar, ka kryer shumë trajnime dhe vizita pune në vende të ndryshme. Kështu në muajin Maj të vitit 1997 ka kryer një trajnim afat shkurtër për të Drejtën e Punës, në Universitetin e Gjenevës Zvicër. Më pas ka qenë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Gjykatën e Apelit në Kopenhagen Danimarkë (Shtator 2000), në Pragë Çeki (Dhjetor 2006), në Gjykatën Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në Strasburg Francë (Qershor 2013), në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve në Ëashington D.C (Tetor 2013), në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Ëashingtonit dhe Gjykatën e Lartë të Shtetit Minesotas SHBA (Tetor 2013), në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Shtutgard dhe Gjykatën Administrative të Apelit Manhain Gjermani (Dhjetor 2014), në Fondacionin “Konrad Adenhauer” Komo Itali (Korrik 2015), në Gjykatën e Shkallës së Parë Lugano Zvicër (Korrik 2015), në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Luksemburg (Tetor 2016), në Gjykatën e Lartë të Apelit në Laipsig Gjermani (Mars 2017), në Këshillin e Lartë të Shtetit në Ankara Turqi (Tetor 2018), etj.. Edhe në kuadrin e trajnimeve vazhduese në Shkollën e Magjistraturës ka kryer shumë trajnime në fushat e të drejtës civile, administrative dhe penale, ku krahas Shkollës së Magjistraturës organizator të këtyre trajnimeve kanë qenë edhe DANIDA, Fondacioni IRZ, ABA CEELI, Fondacioni “SOROS”, USAID, PAMEKA, UNICRI, OSCE, OSBE, OPDAT, IOM, Universiteti i Napolit Itali, etj. Gjatë vitit 2019 ka qenë trajnues në dy seminare zhvilluara nga Shkolla e Magjistraturës në fushat administrative dhe penale, etj….
Arbena Ahmeti

Arbena Ahmeti ka lindur në Lushnje, në datë 20 nëntor të vitit 1980. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.
Zonja Ahmeti është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në korrik të vitit 2003, ku në përfundim të studimeve ka marr titullin «Jurist», me rezultate të larta. Përgjatë vitit 2004, ka punuar si juriste në Drejtorinë Juridike pranë Bashkisë Tiranë. Në vitin 2006 ka përfunduar me rezultate të larta Shkollën e Magjistraturës, duke mbajtur titullin “Magjistrat Gjyqtar”.
Në datë 04.10.2006, Dekret të Presidentit të Republikës, është dekretuar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përgjatë vitit të tretë të Shkollës së Magjistraturës. Në përfundim të Shkollës, në tetor të viti 2007, është caktuar si gjyqtare e shkallës së parë në Lushnje, pranë seksionit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Në korrik të vitit 2013 me Dekret të Presidentit të Republikës është emëruar si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit ka marr pjesë në trajnime të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e programit të trajnimit vazhdues, si dhe nga organizata të tjera brenda dhe jashtë vendit, në cilësinë e pjesëmarrëses dhe të ekspertes. P rej vitit 2011, gjithashtu është angazhuar pranë Shkollës së Magjistraturës në programin e trajnimit vazhdues, në panelin e trajnerëve, në rolin e lehtësueses dhe ekspertes. Fusha e ngushtë e ekspertizës është e Drejta Administrative.
Prej muajit korrik 2017 deri në nëntor të vitit 2021 ka qenë Magjistrat Udhëheqës për Gjykatën Administrative, për kandidatët Magjistratë, në vitin e tretë, në Shkollën e Magjistraturës. Gjithashtu, është trajnuar pranë Shkollës së Magjistraturës, Francë ( Bordo) përgjatë vitit 2019 si trajnere për trajnerët e Magjistratëve. (Program i posaçëm për Magjistratët e Huaj e organizuar prej Shkollës së Magjistraturës Francë dhe Ambasadës Franceze në RSH)
Ka qenë pjesëmarrëse nga Gjykata Administrative, në grupin e punës gjatë procesit të hartimit të Kodit të Procedurave Administrative prej Kuvendit të RSH, gjatë vitit 2014-2015 dhe pjesë e grupit të punës, në një sërë iniciativash të tjera të kësaj kategorie. (si ndryshimet ligjore në ligjin e prokurimeve publike, ligjit për kthimin e pronave të ish pronarëve, etj).
Është anëtare e Bordit Drejtues të Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare (FGGJSH) dhe anëtare e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. (UGJSH)
Me dekretin me Nr.13477, datë 16.02.2022 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Gentian Medja

Gentian Medja u lind në Shkodër, më datë 28.05.1978.
Në vitin 2001 ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër duke marrë titullin “Jurist”. Në vitin 2002 ka vijuar studimet në Shkollën e Magjistraturës, në Tiranë, të cilat i ka përfunduar në vitin 2005 duke marrë titullin “Magjistrat”.
Me dekret të Presidentit të Republikës, të datës 17.09.2004, është emëruar “Gjyqtar”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2013, emërohet si Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Prej Nëntorit të vitit 2013 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Paralelisht, për periudha të caktuara, është angazhuar në fushën e mësimdhënies në universitete publike dhe private, si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në lëndën “E Drejtë e Procedurës Civile” si dhe në Shkollën e Arsimit të Lartë “Gjon Buzuku” në Shkodër, në lëndët “E drejtë Romake” dhe “E Drejtë e Procedurës Civile”.
- Medja ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e programit të trajnimit vazhdues, si dhe nga organizata të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është angazhuar pranë Shkollës së Magjistraturës në programin e trajnimit vazhdues, në rolin e lehtësuesit dhe ekspertit.
Me dekretin me Nr.13497, datë 07.03.2022 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Darjel Sina
Darjel Sina ka përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Zyrihut në Zvicër, me bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Z. Sina ka përfunduar studimet e tij në doktoraturë, master i arteve dhe bachelor në Universitetin Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik. Ai mban titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014. Eksperienca e fundit e punës së gjyqtarit Sina ka qenë Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik dhe më përpara Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.
Në nëntor të vitit 2021, Z. Sina është përzgjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar në programin International Visitor Leadership Program me tematikë Rule of Law and the U.S. Judicial System, i organizuar nga Graduate School USA.
Z. Sina ka punuar si studiues në Universitetin e Zyrihut dhe përpara kësaj eksperience ka punuar Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Luarasi, në Universitetin Evropian të Tiranës si Profesor dhe përpara kësaj eksperience ka qënë i punësuar si asistent Profesor në Universitetin Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos. Pas diplomimit ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi.
Me dekretin Nr. 13573 të Presidentit të Republikës, datë 16 prill 2022, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Sokol Ngresi
Sokol Ngresi u lind më 27.02.1973, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Në vitin 1995 ka përfunduar me Medalje të Artë studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe në vitin 2005 ka kryer studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Drejtësise, Tiranë, duke marrë titullin “Master” në të drejtën penale.
Prej muajit Shkurt 1996 – Maj 1998, Z. Ngresi ka ushtruar detyrën e Ndihmës gjyqtarit efektiv pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Maj 1998 – Qershor 2000 është emëruar Gjyqtar në këtë gjykatë, detyrë që e ka ushtruar deri në Qershor 2000 e më pas, deri në vitin 2003, ka qënë ndihmës ligjor i anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në muajin Qershor të vitit 2003 – shkurt 2008, Z. Ngresi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, për tu rikthyer më pas në vitin 2009 deri në qershor të vitit 2022.
Z. Ngresi ka një eksperiencë të pasur si pedagog i së drejtës në disa universitete në Vlorë dhe Tiranë, kryesisht në të drejtën penale por edhe atë civile.
Z. Ngresi ka marrë pjesë në disa trajnime vazhduese në fusha të ndryshme, si në të drejtën kushtetuese, civile, tregtare, penale, administrative dhe të punës, organizuar nga Shkolla e Magjistraturës. Ai ka pjesemarrje aktive në shumë takime ndërkombëtare dhe referime në të drejtën penale.
Me dekretin nr. 13646, datë 02.06.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Margarita Buhali
Margarita Buhali u lind më 23 shtator 1976 në Berat. Në vitin 1999 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe në vitin 2002 është diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës me titullin magjistrate-gjyqtar.
Prej tetorit 2001 deri në nëntor të vitit 2002, Znj. Buhali ka ushtruar detyrën e gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Më pas prej tetorit të këtij viti e deri në tetor të 2013 ajo ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, prej nga më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, deri në vitin 2022.
Znj. Buhali ka qenë anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019. Pedagoge e jashtme në universitetin jopublik “Albanian University” për “Të drejtën e detyrimeve” dhe Të drejtën civile, gjatë viteve 2010-2012, si edhe pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës për “Të drejtën e detyrimeve” gjatë vitit 2021.
Prej janarit 1999 Znj. Buhali, ka marrë pjesë në shumë trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës si edhe në disa aktivitete kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës, duke qenë edhe eksperte trajnimi në shumë prej tyre. Ajo është autore e artikullit “Njoftimi i akteve të shtetit të huaj dhe për në shtetin ehuaj. Zbatimi i ligjit të huaj. Efektet e gjykimeve të çështjeve nga gjykatat e huaja nëgjykimin e filluar në Shqipëri”, botuar në Revistën e Shkollës së Magjistraturës “Jeta Jurike” Dhjetor 2011.
Me dekretin nr. 13697, datë 14.06.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lartë.
Enton Dhimitri
Enton Dhimitri ka lindur në Përmet më 14 Shtator 1978. Në vitin 2001 përfundoi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, dhe në vitin 2005 studimet në Shkollën e Magjistraturës, duke marrë titullin Magjistrat – Gjyqtar.
Z. Dhimitri ka ushtruar detyrën si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, prej vitit 2005 e deri përpara emërimit në Gjykatën e Lartë. Prej vitit 2019 ka ushtruar gjithashtu detyrën si Zv.Kryetar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, si dhe Gjyqtar për Median në Juridiksionin e Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Z. Dhimitri ka qenë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2018 si edhe aktualisht gjatë vitit 2022.
Ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e programit të trajnimit vazhdues, si dhe nga organizata të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Me dekretin nr. 13698, datë 14.06.2022 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Shënim: Ata që janë pa foto nuk janë web e gjykatës së lartë, pra nuk kanë foto
KOHA JONË SONDAZH

