Kjo fushatë do të jetë më e ashpra. Palët do ekzekutojnë edhe robërit
Nga Neritan Sejamini –
Kjo fushatë do jetë fushata më e ashpër, por edhe më e vërtetë që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Në një përpjekje të dëshpëruar për pushtet, më në fund, të gjithë politikanët do t’i nxjerrin të gjitha në shesh.
Deri më sot ata kanë ruajtur një kufi, kanë sulmuar deri diku, por prapë i kanë mbrojtur të fshehtat e errëta të njëri-tjetrit, duke luftuar për t’i marrë pushtetin tjetrit, por jo për ta “vrarë” atë.
Këtë herë do jetë ndryshe. Këtë herë nuk do ketë robër që humbasin luftën por shpëtojnë jetën—këtë herë palët do t’i ekzekutojnë robërit: çdo krim, çdo korrupsion, çdo shkelje, çdo imoralitet, çdo gabim, çdo përfitim do t’i qëllohet tjetrit në ballë.
Në krye të kësaj lufte pa pengje do jetë Edi Rama, i cili tashmë ka një mision: t’i diskreditojë të gjithë kundërshtarët dhe t’u tregojë shqiptarëve se të gjithë njësoj si ai bëjnë çdo gjë vetëm për pushtet dhe para.
Kështu jo vetëm do neverisë shqiptarët nga politika, duke i çkurajuar për të mos votuar, çfarë i jep atij avantazh, por edhe do hakmerret personalisht ndaj atyre që ai mendon se nuk janë as më të mirë dhe as më të ndershëm se vetë ai.
Në këtë luftë të pamëshirshme që do kudërbojë Shqipërinë, do ketë një të mirë: më në fund do dalë hapur, pa fasada dhe makiazh, fytyra e vërtetë e elitës politike të vendit.