”Kjo qeveri e rrënoi arsimin”, Berisha: Numri i nxënësve u përgjysmua, 750 shkolla u mbyllën në vend
Sali Berisha fjalën këtë mbrëmje nga ballkoni i banesës ku qëndron në izolim që prej 30 dhjetorit 2023, e pati për arsimin në vend, që përkon edhe me nisjen e vitit të ri shkollor dhe parauniversitar. Ai tha se në tetë vite të Rilindjes, numri i nxënësve në shkollat tona u përgjysmua. Për të kjo qeveri e rrënoi arsimin dhe e shndërroi atë në institucionin e partisë dhe patronazhistëve.
Pjesë nga fjala
Të dashur miq, sot 350 mijë nxënës filluan mësimin në ditën e parë të shkollës në ciklon parauniversitar. Le t’u urojmë ne atyre një vit të mbarë dhe suksese. Por le t’u urojmë mësuesve, prindërve, mbarësi dhe shëndet, suksese në këtë vit. Sot u ulën në bankat e shkollës 350 mijë nxënës, ndërkohë që në vitin 2013, në këto banka u ulën 630 mijë nxënës.
Pra në tetë vite të Rilindjes, kësaj mortaje krimi, numri i nxënësve në shkollat tona, u përgjysmua. Kjo rënie e frikshme ka sjellë mbylljen të rreth 750 shkollave në mbarë vendin. Kjo rënie e frikshme ka sjellë pothuajse mbetjen pa fëmijë, pa nxënës të shumë e shumë zonave të vendit. Kjo rënie vazhdon me ritme të paimagjinueshme. Të dashur miq, në shkollat e Korçës, në klasë të 10-të këtë vit u regjistruan 500 nxënës më pak apo një e treta më pak se sa një vit më parë.
Këtë vit, shkollat nisën punën në një kohë kur vitin e kaluar në testin e cilësisë në PISA ato patën një rënie pikiate prej 62 pikësh. Mendimi krijues i nxënësve tanë u vlerësua më i dobëti në planet. Mësuesit vazhdojnë të jenë mësuesit më të papaguar në Europë dhe në Ballkan. Rroga e rritur këto kohë e tyre është aq e vonshme saqë i la ata përsëri në mësuesit me rrogat më të ulëta në Ballkan dhe Europë.
Kjo qeveri e rrënoi arsimin! E shndërroi atë në institucionin e partisë dhe patronazhistëve. E shndërroi atë, infrastrukturën e tij, në një infrastrukturë në të cilën krerët e qeverive vendore të partisë së krimit vjedhin nga 70 deri në 90 përqind të fondeve të dedikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave.