Klosi: Mbetet shumë për të bërë për romet dhe egjiptianet

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Projektin “Mbështetje për Përfshirjen Sociale të Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane”, i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri, inauguruan sot ambientet e reja të Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Shtish-Tufinë, në qytetin e Tiranës. Kjo qendër është unike në Shqipëri, si për nga shërbimet të cilat ofron, ashtu edhe nga modeli psiko-social i aplikuar për fuqizimin e familjeve me fokus te fëmijët. Aktualisht në të akomodohen 41 familje rome dhe egjiptiane, me rreth 170 anëtarë, nga të cilët 80 janë fëmijë.

Në inaugurimin e kësaj qendre morën pjesë z. Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Zineb Toumi Benjelloun, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, si dhe z. Yngve Engstrom, përfaqësues i Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë. Në fjalën e tij për mediat, ministri Klosi pasi ka falënderuar partnerët për mbështetjen e dhënë në përmirësimin e infrastrukturës, ka theksuar se qendra e re është një hap i ri cilësor në kuadër të plotësimit të standardeve të strategjisë së komunitetit rom për vitet 2015-2020. “Tashmë 170 banorë të këtij komuniteti kanë harruar përfundimisht jetën e rrugëve dhe janë sistemuar në këto ambiente, të cilat nuk janë ambiente përfundimtare, por është një qendër tranzitore që do të shërbejë për riaftësimin e tyre dhe për të pasur mundësinë më pas që këto familje të jetojnë në jetën e përditshme. Ne si qeveri miratuam para pak ditësh një vendim që përcakton më së miri standardet e këtyre qendrave, të cilat duhet të jenë në disa qarqe të vendit”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

 

Ai kërkoi edhe nga bashkitë e reja që të bëjnë më shumë në drejtim të trajtimit të problematikave që shoqërojnë komunitetin rom dhe egjiptian në vendin tonë, pasi sipas tij, pavarësisht punës së bërë në vitin e fundit, mbetet ende shumë për të bërë në standardet e shërbimeve dhe në angazhimin e këtyre familjeve sërish në jetën e përditshme. “Them që  së bashku me partnerët e MMSR-së, të cilët kanë ndihmuar në këtë proces, kemi arritur që në një vit kohë të kemi një histori shumë të mirë suksesi që ka të bëjë shumë me infrastrukturën. Por për sa u përket standardeve të shërbimeve dhe riaftësimit të tyre kemi shumë, shumë punë për të bërë”, – tha ministri Klosi.

SHKARKO APP