Klosi me punonjësit socialë: Dhuna nuk duhet të ekzistojë, do ndëshkoj rëndë çdo akt të tillë
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është e vendosur për të ndëshkuar ashpër çdo punonjës social që shërben në qendrat që ofrojnë shërbim për shtresat vulnerabël dhe që shkel ligjin në dëm të të drejtave të fëmijëve apo grupeve të tjera shoqërore që trajtohen në to. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, nisur nga ngjarjet e ndodhura në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ka zhvilluar sot një takim urgjent me drejtuesit e qendrave të shërbimit social dhe punonjës që shërbejnë në to, të cilëve u ka përcjellë një mesazh të qartë se dhuna e çfarëdo lloji qoftë, nuk do të tolerohet, por do ndëshkohet me fuqinë më të madhe të ligjit. “Dhuna ndaj përfituesve nuk duhet të ekzistojë në institucionet tona të përkujdesit shoqëror, në asnjë lloj forme që të shfaqet. Dhuna nuk tolerohet! Personalisht do të ndëshkoj rëndë çdo akt të tillë dhune dhe do të dërgoj në ndjekje penale çdo personel apo drejtues që neglizhon situata të tilla. Do të dërgoj pranë organeve të hetuesisë dhe çdo punonjës apo dëshmitar prej tyre, që nuk denoncon në kohë reale situata të tilla të papranueshme dhune”, – u shpreh ministri Blendi Klosi në hyrje të fjalës së tij.
Më tej ai i ka bërë të ditur se personeli i institucioneve që sot e tutje do të testohet, vëzhgohet e monitorohet në 24 orë nëpërmjet mekanizmave të inspektimit të shërbimit shoqëror, të cilët do të marrin masa të menjëhershme ndaj çdo lloj evidentimi të situatave të ndryshme problematike, të ngjashme me ato të një jave më parë. Por sipas tij, ajo që ndodhi në Shkodër duhet të jetë një ngjarje që t’i bëjë të gjitha institucionet dhe aktorët e këtij procesi që të reflektojnë dhe të mendojnë se sistemi ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. “Ka nevojë shumë për ristrukturim, ka nevojë shumë për reformë të thellë”, – tha ministri Klosi.
Sipas tij, ajo çka është edhe më e rëndë se ajo që u pa nga të gjithë në pamjet e transmetuara në media, është pikërisht pranimi i kësaj gjendjeje nga punonjësit socialë. “Ajo që unë pashë kur bëra takimin me kolektivin e qendrës së fëmijëve më shqetësoi më shumë sesa ngjarja që pashë në televizor. Familjariteti me situatën është i patolerueshëm, familjariteti me atë që ndodhi dhe thënia ‘hë se një rast ishte’, është fjala që nuk duhet përsëritur. Zonjat që takova në atë qendër e quanin si diçka normale atë që ndodhi. Kjo duhet të ndryshojë, ky mentalitet duhet të ndryshojë”, – tha z. Klosi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ka firmosur një urdhër të përbashkët për Shërbimin Kombëtar Social dhe Inspektoratin e Punës për të bërë monitorim të të gjithë qendrave të sistemit të shërbimeve sociale. Ndërkohë, ministri Klosi ka ftuar median dhe shoqërinë civile që të luajnë një rol më të madh në monitorimin e situatës, në mënyrë që të jenë një mjet presioni pozitiv mbi këtë sistem, me qëllim që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. “Nuk mund të ndodhë kjo vetëm nëpërmjet syrit të shtetit, syri i shtetit disa herë është pak i avashtë, disa herë është i lodhur nga vitet e shumta që kanë me situatat, disa herë mendojnë që kjo është një gjë normale. Jo, kjo nuk është gjëja normale. Dhe prandaj iu kemi kërkuar partnerëve tanë në këtë proces që të jenë shumë më tepër agresivë në ngritjen e shqetësimeve dhe reflektimin e problematikës”, – u shpreh më tej ministri Klosi.
Por që ngjarje të tilla të mos ndodhin më dhe që sistemi i mbrojtjes sociale të jetë më efektiv, ministri Klosi vuri në dukje se duhet një koordinim më i mirë i institucioneve të qeverisjes qendrore me pushtetin vendor. “Sistemi ka dhe nevojë për transformim, sistemi ka nevojë për riformatim. Raporti ndërmjet pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore duhet riparë në detaje. Raporti nuk mund të jetë ‘e kam unë, mbaj përgjegjësi, s’e kam unë, lëre se mirë është’, qoftë nga ana e përfaqësuesve të shtetit, qoftë nga ana e përfaqësuesve të pushtetit vendor. Nuk mund të jetë kështu, duhet të jetë një raport unikal, i mirëmenaxhuar, i mirëadministruar, sepse përgjegjësia është e përbashkët”, – përfundoi fjalën e vet ministri Klosi.
Në takim, veç drejtuesve të Ministrisë dhe Shërbimit Social Kombëtar, ishte e pranishme edhe deputetja, njëkohësisht nënkryetare e komisionit parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, si dhe gazetarja Eni Vasili, e cila përfaqësonte dhe Forumin e Gazetareve Femra Profesioniste Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

