Klosi: PS dëshmoi sot se është partia më e organizuar
Sekretari Organizativ, Blendi Klosi ka mbërritur pasditen e sotme në Berat, për të parë nga afër procesin e votimit për referendumin e Partisë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat, ai është shprehur se referendumi i sotëm ka dëshmuar dhe një herë se Partia Socialiste është partia më e organizuar në vend.
“Rezultati i këtij Referendumi, -ka thënë Klosi-, është spektakolar, pjesëmarrja në të është më e lartë se pjesëmarrja në votimin për delegatët e Kongresit, ku vetëm në njësinë administrative të rrethit të Beratit pjesëmarrja ka kaluar masën 85%,ndërkohëqë votimi do vazhdojë deri në orën 18:00”.
Klosi ka deklaruar gjithashtu se Qarku i Beratit dhe bashkia Berat janë strukturat më të mirëorganizuara të Partisë Socialiste, ndërkohë që ka konfirmuar se në rajonin Fier-Berat pjesëmarrja ka qënë shumë e mirë, situata ka qënë shumë transparente dhe nuk është shënuar asnjë incident.
Ndërsa në lidhje me ankesat e bëra nga socialistët e Beratit, të cilët kanë deklaruar se nuk i kanë gjetur emrat e tyre në listat e votimit, Klosi është shprehur se kjo histori ndodh gjithmonë, sa herë që ka votime, ndërkohë që dihet nga të gjithë socialistët se lista është miratuar që në 31 dhjetor 2015.
“Përsa u përket atyre që kanë qënë anëtar partie dhe nuk kanë qenë aktivë, -tha Klosi,- janë marrë të gjitha informacionet e duhura”.
Klosi ka deklaruar më tej se listat janë hartuar pas vendimarrjes së Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit të Partisë Socialiste dhe se në lista janë futur vetëm anëtarët aktivë të partisë.
Sipas tij, nuk ka asnjë informacion që dikush nga anëtarët e partisë nuk është në listat e votimit apo është hequr nga listat.
KOHA JONË SONDAZH

