Klosi:720 aktivitete në 720 ditë të funksionimit të kësaj ministrie deri në zgjedhjet e 2017.

 

 

Fjala e ministrit Blendi Klosi sot, gjatë prezantimit të prioriteteve të tij në krye të MMSR-së

 Vendi im, ashtu siç të gjithë e dinë, ka nevojë për investime, ka nevojë për më shumë investime strategjike. Por ndihma që ju jepni për një Shqipëri më solidare, ndihma që ju jepni për më të dobëtit është një ndihmë që buron nga zemra dhe kjo ndihmë është e tillë që i jep mirënjohje jo vetëm këtij stafi të MMSR-së, por çdo shqiptari që e prek çdo ditë ajo ndihmë.

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, komunitetit të vullnetarëve, përfaqësues të botës akademike,

Mirënjohje për atë çfarë bëni ju për të parë në çdo kënd ku syri i shtetit e ka të vështirë të shkojë. Mirënjohje po ashtu për agresivitetin e treguar nga të gjithë për t’i ngritur aty ku duhet shqetësimet dhe për të qenë në një raport jo gjithmonë miqësor me shtetin, jo një raport me ministrinë dhe ata përfaqësues të shtetit, që kanë për detyrë të shërbejnë aty ku ju kontrolloni dhe vigjiloni për të qenë situata më në kontroll.

Të nderuar miq, shumica prej jush më njihni, me shumicën prej jush kam komunikuar në vite dhe me disa të tjerë që nuk më njohin, unë jam Blendi Klosi, në këtë detyrë prej pak ditësh dhe në këtë detyrë prej shumë kohësh duke e ndjekur nga pranë punën e madhe që ka bërë kjo ministri. Për shumë prej jush që më njihni, e dini që një nga pasionet e mia më të mëdha është që të luaj basketboll dhe kur mora këtë detyrë e mendova se si do të ishte uniforma e përfaqësueses së kësaj ministrie. Dhe po të shikoni, kjo uniformë është e mbushur me shumë logo, me shumë misione, është shumë e vështirë që të gjesh një hapësirë të nevojshme për të shkruar çdo funksion që bën kjo ministri, çdo detyrë që ka marrë mbi vete.

Ministria që unë kam nderin të drejtoj, është një ministri me një mision të madh, mirëqenia sociale. Një ministri që shkon te secila shtresë, është e vështirë të gjesh një grup i cili është më shumë i nevojshëm. Është i vështirë të bësh dallimin mes një grupi të madh shoqëror, apo një individi të vetëm që ka nevojë për ndihmë sociale

Prandaj, të nderuar miqtë e mi, ka shumë misione, ka shumë donatorë që e përkrahin këtë ministri. Po të shikosh, është një fushë e madhe veprimi, është një fushë që duket shumë e bukur, është një fushë me shumë ngjyra, është një fushë plot shpresë. Por ama, nëse gjërat nuk kombinohen ashtu siç duhen, nëse diçka harrohet, nëse diku ka një kontradiktë, nëse diku ka diçka të lënë për herën tjetër, situata mund të kthehet në një rrjetë ku secili nga ne e ka të vështirë të çajë, mund të kthehet në një situatë ku sado donatorë të fuqishëm të ketë dhe sado vullnet qeveritar të tregohet, është e vështirë të ecësh përpara. Prandaj e kam parë me shumë mirënjohje punën që kjo ministri ka bërë ndër vite, e ka pasur shumë mirënjohje për këto shtresa në nevojë, për këta njerëz që kërkojnë një Shqipëri më solidare, për këta njerëz që presin më shumë nga dora e shtetit dhe që jo gjithmonë atë dorë e kanë gjetur.

Prandaj, të nderuar miqtë e mi, unë po fus dhe pak atë profesionin tim të inxhinierit në algorizmin e kësaj ministrie. Prezantimi që po bëj sot nuk ka asgjë të re, prezantimi që po paraqes sot nuk ka asnjë ide të re se unë jam i ri në këtë detyrë dhe do ishte gabim të thosha që kam dhe unë ca ide të mijat, këto ide i kam gjetur së bashku me ju, në stafin e ministrisë, në komunitetin donator që ka kontrolluar dhe monitoruar procesin e deritanishëm.

Në këtë algoritëm të ri për menaxhimin e kësaj situate, një algoritëm që do jetë pjesë e punës së ministrisë, por natyrisht kontribut i gjithsecilit prej jush.

Prandaj, çfarë do dëgjoni më mbrapa është një ide, çfarë do dëgjoni më mbrapa është një detyrë për t’u bërë, çfarë do dëgjoni më mbrapa është një program pune shumë lehtë i ndryshueshëm, por po të ndryshojë vendimmarrja që do merret, do zbatohet.

6 janë fjalët kyçe me të cilat unë do zbatoj algoritmin e MMSR-së:

Puna. Në zemër të kësaj ministrie fjala punë është kudo. Kudo flitet për mënyrën sesi ne kontribuojmë te puna, kudo flitet se çfarë kjo ministri do duhet të bëjë për t’i shërbyer punës. Programi qeveritar flet për 300 mijë vende të reja pune në krye të 4 vjetëve. Ne për këtë kemi një llogaridhënie për të dhënë para opinionit publik. Më shumë se 120 mijë vende pune tashmë janë hapur. Por, a do jemi ne të aftë që të shkojmë në 4-vjeçarin e ardhshëm nëse nuk fokusohemi drejtpërdrejt te puna, në qoftë se punës nuk i shërbejmë, nëse institucionet në varësi të ministrisë nuk janë shërbëtore të drejtpërdrejta të atyre që punojnë, nuk janë shërbëtore të drejtpërdrejta të atyre që ofrojnë punë. Ne duhet të jemi shërbëtorë të drejtpërdrejtë të biznesit. Flasim shumë për punën, flasim shumë për aspekte të saj. Por, a jemi ne sot aty ku duhet me arsimin profesional? A kemi arritur ne t’i shërbejmë arsimit profesional ashtu siç duhet? Vitet e fundit është kthyer koka nga arsimi profesional, janë ngritur shumë programe për arsimin profesional, por a kemi arritur ne në nivelin e kërkuar? Mendoj se jo. Por objektivi im kryesor në një nga ato çfarë do mund të bëj dhe që do jetë objektivi kryesor i punës time: është të rikthejmë arsimin profesional nga një sistem ku nxënësit shkojnë me një mundësi më pak, në një sistem ku nxënësit shkojnë për një aftësi më shumë. Nuk duhet të pranojmë ne që në arsimin profesional shkojnë nxënësit sepse nuk shkojnë dot në shkollë të lartë. Ta kthejmë arsimin profesional në vende ku njerëzit shkojnë për të marrë një zanat më shumë, për të bërë një veprim më shumë në jetë. Prandaj do përpiqem shumë që njerëzit në arsimin profesional të shkojnë për një mundësi më shumë në jetë.

 

Mbrojtja sociale. Ajo çfarë është bërë në këto dy vite është për t’u parë dhe për t’u marrë në konsideratë. Mbrojtja sociale po shtrihet gjithmonë e më shumë duke u targetuar aty ku duhet, duke pasur mundësinë që ne të përfundojmë disa projekte pilote. E them me shaka, por e them dhe këtu, ministria ime më duket shumë e mbushur me këto projekte pilote, në çdo zyrë, në çdo drejtori ka nga tre, nga katër, ca pilotë të vegjël, ca pilotë shumë të mëdhenj. Për duhet t’i ulim këta aeroplanë të vegël apo të mëdhenj, këto drone apo këta helikopterë, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale. Shumë shpejt ne do përpiqemi që të zgjidhim përfundimisht transparencën. Kemi kaq vite që dhurojmë, kaq njerëz që përkrahin shtresat në nevojë, por akoma nuk kemi database qendrore apo një transparencë të plotë qendrore për ata të cilët marrin ndihmë ekonomike, për ata që marrin ndihmën e aftësisë së kufizuar, apo për ata që marrin ndihmë sociale. Por duhet shumë që të targetojmë grupet në nevojë, por duhet padyshim që të futemi në një sistem të ri, ajo që është mirë le të vazhdojë, për kthimin e sistemit të mbrojtjes sociale nga një sistem të mbrojtjes ekonomike në një sistem të integrimit nëpërmjet punës.   

 

Do të flas pak edhe për zyrat e punës, të cilat duhet të shndërrohen nga zyra që vazhdimisht vetëm presim ankesat e qytetarëve, në zyra që ofrojnë punë sidomos të gjithë qytetarëve që janë në nevojë. T’iu ofrojnë këtyre njerëzve që nëpërmjet punësimit dhe ndihmës të riaktivizohen dhe të riaftësohen për të qenë pjesë e punësimit.

Unë nuk mund ta pranoj që zyrat e sistemit të shërbimit të punësimit të vazhdojnë të jenë vetëm zyra pritëse. Dhe zyra apo kompani private fare të vogla, me 2 apo 3 dhoma me 4 apo 5 veta staf të arrijnë shumë herë më tepër se sa gjithë ky sistem, me afrimin e punësimit dhe me kontaktet e atyre njerëzve që kërkojnë punë dhe mbrojtje sociale.

 

Sigurimet Shoqërore. Një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria, por edhe çdo administratë sot në Europë apo në vendet më të zhvilluara të kësaj Europe, sigurisht që sigurimet shoqërore tashmë kanë marrë një këndvështrim të ri. Ka nisur një reformë shumë herë më e mirë për sa i përket kontributit të gjithsecilit. Ka filluar një reformë që do të duhet të vazhdojë të kontribuojë drejtpërdrejt për ata njerëz që kanë vite që japin kontribut për skemën e pensioneve, por skema nuk mund të mbetet kjo që është. Rritja e transparencës do të jetë objektivi ynë i madh dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha. Nuk duhet të pranojmë që skemën ta shohim se si ngarkohet e ngarkohet dhe ne të mos ndërmarrim veprime alternative që ta zbusin këtë skemë.

 

Përfshirja sociale shtrihet në shumë aspekte të kësaj ministrie. Shtrihet në fusha ku ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje nga gjithë donatorët, ministria dhe institucionet e varësisë për fusha që kanë të bëjnë me shumë dimensione, si ato për mbrojtjen kundër  dhunës në familje, kundër dhunës së fëmijëve, kundër dhunës së gruas, me probleme të shtresave për të cilat duhet të ndërpritet diskriminimi i tyre, me probleme që kanë të bëjnë me shumë grupime të vogla apo të mëdha; qoftë edhe një person të jetë nën këtë dhunë, ne duhet ta mbrojmë atë.

Kjo gjithëpërfshirje e ministrisë që unë drejtoj padyshim do të shkojë edhe për të përndjekurit politikë, tek ajo shtresë që ka marrë një mbështetje shumë të madhe në këto vite sa i përket kontributit financiar, por që s’mund të ngelet këtu nëse ne nuk ngremë institucionet e kujtesës. Ky do jetë një prioritet tjetër i ministrisë për dyvjeçarin që do vijë.

Po ashtu do të doja të përmendja promovimin e tolerancës fetare, si një nga aspektet që ministria jonë e ka në fushën e veprimtarisë së saj.

Rinia. Rinia është gjysma e emrit të ministrisë, por a është gjysma e politikave ministrore sa i përket kontributeve në grupim kaq të madh shoqëror të vendit tonë? Padyshim që jo. Detyra jonë kryesore do jetë monitorimi i kontributimit të shumë institucioneve shtetërore në fushat që i përkasin rinisë dhe aksione që do e bëjnë rininë shqiptare shumë më tepër kontributive në vullnetarizëm, shumë më tepër pjesëmarrëse në politikat sociale dhe shumë më tepër aktive në shoqërinë shqiptare.

 

E fundit është reforma e re, reforma institucionale-territoriale, reformë e cila shtrihet jo vetëm në kuadër të decentralizimit, jo vetëm në kuadër të transformimit të 61 bashkive të reja, të cilat nga ministria jonë duhet të marrin një udhëzim shumë më të fortë për sa i përket mbrojtjes sociale, të transformimit të disa nga aktivitetet që sot i bën shteti për t’ia kaluar pushtetit lokal. Por një moment shumë i rëndësishëm të cilin unë do doja ta ndaja shumë me komunitetin donator, i cili do duhet të japë ekspertizën në këtë aspekt, është problemi i transformimit të ofrimit të shërbimeve që ne bëjmë, qoftë në kuadër të punësimit, qoftë në kuadër të ndihmës ekonomike. Nuk mund të pranojmë që të ofrojmë shërbime për punësimin vetëm për komunitetin në qytet dhe për të harruar atë që jeton në fshat, jo vetëm për atë që ka qenë në bashkitë e mëdha dhe për të harruar atë që jeton në komuna.   

 

Këto që thashë janë në vijat e përgjithshme 6 nga prioritetet e punës sonë, që padyshim, kohën që kam kaluar pranë ministrisë ne kemi filluar të punojmë. Në planet e dyvjeçarit të ri, ministria për të gjashta këto fusha ka paraqitur disa detyrime që kanë të bëjnë me detyrat konkrete, specifike, që vijnë në kuadër të shumë aktiviteteve që ministria do të bëjë. Janë rreth 120 detyra që ne do zgjidhim dhe do t’i vëmë në zbatim gjatë 720 ditëve që kemi deri në 1 korrik 2017. Të cilat po të zbërthehen në detyra, detyrime, shkojnë fiks me programin që ne kemi paraqitur: 720 aktivitete në 720 ditë të funksionimit të kësaj ministrie deri në zgjedhjet e 2017. Të gjitha këto aktivitete janë të mbështetura në bazën ligjore që ka ministria, në strategjitë që kemi miratuar tashmë, qoftë edhe në planet e veprimit. Ju garantoj që ka mbi 27 ligje që funksionon kjo ministri, ka mbi 10 apo 12 strategji dhe plane veprimi, të cilat janë të bukura kur paraqiten, janë voluminoze në faqe, janë të ilustruara shumë mirë me foto të bëra nga fotografë ekspertë, por që harrohen në zyrat tona.

 

Kur kemi zgjedhur këtë punë, kemi menduar që të gjitha këto ligje, strategji apo plane veprimi të kthehen në detyra konkrete për ministrinë. Për këtë arsye ne do të kemi afate dhe do të kemi indikatorë suksesi. Nuk mund të ngelemi me faktin që e bëmë një ligj, e bëmë një vendim dhe kjo është detyra jonë. Jo, kjo nuk është detyra jonë, pasi ky është fillimi i detyrës sonë për të arritur disa indikatorë suksesi që do jenë suksesi i institucionit tonë. Afatet do jenë ato të cilat do të monitorohen më së miri. Por këto afate jo vetëm për detyra tona, por edhe për ato që kemi miratuar strategji apo kemi miratuar planet e veprimit. Ju garantoj se vetëm këtë muaj të qenies sime si ministër kemi marrë disa detyra të reja nga Kryeministri, të cilat janë bërë pjesë e matricës sonë, por ato kanë afate. Ashtu siç kemi gjetur 2 apo 3 detyra të tjera të vjetra, të cilat po të mos shihen mirë ligjet dhe mos të monitorohen, të gjitha harrohen në sirtarë dhe kalon koha e ngelemi për ditën e fundit. Donatorët e procesit, janë shumë donatorë që mbulojnë gjithë këto fusha.

 

Është një fushë po prapë e rëndësishme, që ka të bëjë me datat e rëndësishme të kësaj ministrie. Ministria duke qenë se ka shumë fusha dhe shumë mbulime, ka dhe një listë shumë të gjatë datash, në të cilat do duhet të orientohet puna e saj. Para pak kohësh vajta në kongresin e ILO-s, një gjë që dihet çdo vit që ne do shkojmë në Kongresin e ILO-s, pasi ka mbi 100 vjet që ky Kongres zhvillohet. Pra, ne duhet të dimë se kush janë detyrat që do ketë çdo pjesë e ministrisë për të shkuar në kongres. Kemi data të caktuara, data 15-16 shtatorështë shumë e rëndësishme në ministri, fillon arsimi profesional. Por, a jemi ne të gatshëm që tani të dimë kush janë detyrat që na takojnë për këtë vit të arsimit profesional dhe nga data 15 në datën 16, kush janë detyrat për vitin tjetër? Pra, edhe këto do jenë pjesë e detyrimeve që i vjen ministrisë duke u nisur nga data e rëndësishme.  

Ka dhe një përgjegjësi direkte për çdo drejtor të ministrisë, për çdo institucion në varësi të ministrisë, por edhe çdo specialisti. Flasim kaq shumë për ligj të Shërbimit Civil, flasim kaq shumë për mbrojtje të ekspertëve, po ku janë detyrimet e gjithsecilit? A duhet që masat të merren vetëm kur vihet në orën 8 në punë, apo masa duhet të merret kur nuk realizohet një detyrë, kur nuk përmbush një mision që vjen nga detyrimet e ministrisë, nga vendimet e qeverisë, nga afatet e caktuara, nga komuniteti donator apo nga datat historike. Pra kjo është matrica që unë kam ndërtuar me stafin tim, ky është algoritmi që do kërkoj të zgjidhë problematikën e MMSR-së, që tashmë nuk është një variant teorik, ne kemi punuar, matrica është ndërtuar në bazë të detyrimeve që ne kemi.

Vetëm kështu ne do mund të ndajmë të gjithë së bashku detyrat dhe detyrimet, planet e veprimit dhe indikatorët e suksesit. Nuk mund të quhet e mirë një gjë vetëm nëse ne bëjmë detyrën tonë; nëse ne arrijmë të kombinojmë detyrat tona do të realizojmë një veprim shumë herë më efikas, shumë herë më të mirë, shumë herë më në nevojë të njerëzve që presin nga ky sistem i madh i mbështetjes sociale.

Në matricë, çdo detyrë është një ndërveprim.

 

Ne kemi një objektiv që të rrisim me 40 për qind çdo vit kërkesën e studentëve për të shkuar në arsimin profesional. Por, a ofron sot shkolla realisht këta të rinj që kemi kaq shumë kërkesa? Padyshim që jo, por nëse ne kemi një kombinim të gjithë aktorëve dhe faktorëve, gjëja do jetë shumë herë më e thjeshtë dhe më e monitorueshme dhe në fund të fundit ne mbajmë përgjegjësi për ato që themi dhe që marrim vendime të gjithë së bashku. A do mundemi ne që të shkojmë në 50 për qind të arsimit profesional, që 50 për qind e kohës kalon në shkollë dhe 50 për qind kalohen në fabrikë apo aty ku punohet? Padyshim, nëse s’ka një koordinim me donatorët, me mbështetjen sociale dhe me shumë aktorë të tjerë të ministrisë, kjo detyrë që duket shumë e thjeshtë dhe që një drejtorie i ngarkohet, është shumë e vështirë për t’u realizuar. Ndaj, të nderuar të ftuar, ju falënderoj shumë që morët pjesë në këtë aktivitet të MSR-së, në këtë aktivitet timin të parë publik, por një gjë të fundit dua të them: në asnjë rast nuk dua që Ministria që unë drejtoj dhe stafi i ministrisë sime të jetë lokomotiva që tërheq trenin. Nuk jam i kësaj shkolle. Do doja shumë të isha pjesë e së njëjtës skuadër me të gjithë ju, do doja shumë që suksesin ta arrija duke bashkëpunuar me çdonjërin prej jush dhe të jem pjesë e suksesit së bashku me ju.    

 

SHKARKO APP