KLSH: Rindërtimi i Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe siç ishte
Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga Instituti i Monumenteve të Kulturës që t’i kërkojë qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në të njëjtën zonë dhe me të njëjtin stil dhe pamje arkitekturore që ajo ka pasur.
NJOFTIMI ZYRTAR
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS T’I KËRKOJË KËSHILLIT TË MINISTRAVE DHE BASHKISË TIRANË RINDËRTIMIN E GODINËS SË TEATRIT KOMBËTAR NË TË NJËJTËN ZONË DHE ME TË NJËJTIN STIL DHE PAMJE ARKITEKTONIKE QË AJO KA PASUR
Vendim-marrja e mëparshme e IMK në cënim të zonës së mbrojtur të ish-godinës së Teatrit Kombëtar përcillet si indicje penale në Zyrën e Prokurorisë Tiranë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 66/2 prot., datë 21.01.2020, ka përfunduar auditimin e Përputhshmërisë në Institutin e Monumenteve të Kulturës (IMK) Tiranë, për veprimtarinë nga data 01.01.2018 deri më datën 31.12.2019.
Nga ky auditim, u konstatuan disa problematika dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. Më konkretisht shkeljet e konstatuara evidentohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së Nr. 54, datë 29.05.2020.
Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë:
1. Me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr.180, datë 13.04.2000 është bërë shpallja Ansambël Monument Kulture i aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe me VKM Nr. 325, datë 12.4.2017 është miratuar shpallja e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe rregullorja për administrimin e kësaj qendre dhe të zonës së mbrojtur përreth saj. Këto VKM kanë përcaktuar rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës dhe lejojnë vetëm ndërhyrje konservuese dhe restauruese. Dy ditë pas daljes së VKM Nr. 325, në datën 14.04.2017, Këshilli Kombëtar i Territorit me Vendimin nr. 1 ka miratuar Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës. Auditimi konstaton se ky plan nuk është i bazuar në kërkesat e VKM Nr. 325, datë 12.4.2017, në lidhje me ndërhyrjet e lejuara në territorin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Qytetit të Tiranës.
Me pas me VKM nr. Nr. 582, datë 03.10.2018 “Për shpalljen e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës dhe miratimin e Rregullores për administrimin e saj e të Zonës së Mbrojtur përreth” janë përcaktuar kufijtë e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe zonat ku do lejohen ndërtime të reja dhe zonat ku nuk lejohen ndërtime të reja. Pra me këtë VKM kanë ndryshuar kufijtë e qendrës historike të Tiranës, të cilat nuk janë në përputhje me objektin e ndryshimit të VKM-ve të mëparshme, si dhe në mënyrë kontradiktore dhe të pavërtetë fshehin ndryshimet reale të kufijve të qendrës historike, në kundërshtim me ligjin nr. 27/2018 datë 17.5.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
Audituesit konstatuan se ndryshimet në këtë VKM reflektojnë kërkesat e Bashkisë Tiranë për zhvillime të reja në territor dhe nuk bazohen në studime e vlerësime të mirëfillta për përcaktimin dhe mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës. Del qartë se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR) ka ndryshuar vlerësimin për zonat historike e kulturore të Tiranës së objekteve, në varësi të interesit për ndërtime të reja në këto zona e mbi këto objekte. Relacioni i miratuar nga KKR i datës 26.09.2018 nuk shpreh qartësisht se cilat objekte hiqen nga qendra historike dhe nuk jep arsyetimin përkatës për heqjen e tyre, si dhe Këshilli Shkencor i IMK nuk është shprehur dhe nuk ka dhënë opinion lidhur me heqjen apo jo të objekteve historike. Nuk evidentohet pse ndryshojnë koordinatat e zonës së mbrojtur Z 82-Z-83-Z80 në kufijtë e Liqenit Artificial të Tiranës, si dhe nuk shpjegohet pse në qendrën e Tiranës janë shtyrë kufijtë e qendrës historike në zonën T83-T81apo T27-T28, etj., (këto janë qartësisht të dallueshme, nga krahasimi i hartës së zonimit të miratuar në vitin 2017 me hartën e zonimit të miratuar në vitin 2018 dhe koordinatat e saj). Edhe pse Vendimi i KKR ka kaluar për shqyrtim nga anëtarët e Këshillit Shkencor të IMK, mendimi i tyre për argumentimin dhe selektimin e ndryshimit të kufijve të qendrës historike nuk pasqyrohet në relacionin shoqërues të VKM-së.
Si konkluzion, procesi i miratimit apo dhe nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve sipas koordinatave nuk rezulton të jetë i plotë me argumente të qarta nga institucionet e përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministri i Kulturës, që është njëkohësisht dhe Kryetar i KKR.
2. Me vendim nr. 195, datë 06.06.2019, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve i asistuar nga Sekretariati Teknik, Instituti i Monumenteve të Kulturës, pas diskutimit paraprak në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ka miratuar projektin “Ndërtimi i kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Shushicë në Qarkun e Vlorës me aplikues “Shushica hydropower shpk”. Kjo leje nuk është e bazuar në një instrument planifikimi në fuqi, si Plan Kombëtar Sektorial, Plan të Përgjithshëm Vendor apo Plan të Detajuar Vendor, në kundërshtim me Ligjin “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, VKM “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” dhe Vendimin “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” të ndryshuar.
Nga verifikimi i përcaktimeve të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, si instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili adreson në mënyrë të integruar çështjet e planifikimit, duke e parë territorin shqiptar si një të tërë, rezulton se në lumin Shushicë nuk është parashikuar ndërtim hidrocentralesh, në kundërshtim dhe me Ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, pasi projekti i ndërtimit të këtij HEC-i cënon perspektivën, peizazhin dhe përdorimin nga publiku të monumentit të kulturës “Ura e Bratit”.
Në përfundim të auditimit, KLSH ka rekomanduar që Instituti i Monumenteve të Kulturës, në dritën e ngjarjeve të fundit lidhur me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të marrë masa të menjëhershme dhe të hartojë propozimet përkatëse për ndryshimin e ligjit Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ku miratimi i planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore të paluajtshme dhe deklarimi për pasuritë kulturore të paluajtshme, të grupuara sipas parashikimeve të këtij ligji, të behet me propozim nga Këshilli i Ministrave dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë.
KLSH ka rekomanduar të ndryshohet pika 1 e nenit 96 të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzeve”, ku Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në lidhje me pasurinë kulturore të paluajtshme, si dhe Këshilli i Ministrave, për grupimin e pasurive kulturore të paluajtshme, të kenë kompetencë të përcaktojnë zonën mbrojtëse, distancat, masat dhe normat e tjera që ruajnë integritetin e pasurive kulturore të paluajtshme, veçmas ose të grupuara, perspektivën, dritën, kushtet mjedisore dhe peizazhin, por miratimi i tyre të bëhet në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë.
Nga auditimi u rekomandua që të merren masa të menjëhershme që procesi i miratimit apo dhe nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve dhe koordinatave të Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës apo dhe qyteteve të tjera në vend, t’i nënshtrohet një procesi të gjerë e të plotë shqyrtimi dhe diskutimi, me argumente të qarta nga institucionet shtetërore të përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministri i Kulturës (në cilësinë edhe të Kryetarit të KKR) dhe vetë Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, duke përmbushur dhe ushtruar kështu funksionet institucionale për të cilat janë krijuar.
– IMK, në rolin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve si dhe Këshilli Shkencor, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës pasi të kryejnë analiza të plota të vendimmarrjes në të cilin kanë kaluar dy VKM-t e fundit të vitit 2017 dhe 2018 për ndryshimin e kufijëvë të zonës historike Tiranë, të propozojë revokimin e VKM-ve të sipërcituara për ndryshimin e vendimit për nxjerrjen jashtë kufijve të zonës historike të sipërfaqes ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar, si dhe në zbatim të Vendimit të ndërmjetëm të KLSH nr. 36 datë 14.05.2020 “Për adresimin e problematikave të shfaqura mbi çështjen e Teatrit Kombëtar dhe propozimin për pezullimin e vendimmarrjeve mbi këtë objekt nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës”, t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku ka qenë godina e mëparshmë, në të njëjtin stil dhe pamje arkitektonik që ajo ka pasur, me të njëjtat volume dhe në të njëjtin projekt.
KLSH gjykon se vendimmarrjet e strukturave të mësipërme, si të vetmet struktura përgjegjëse që kanë kapacitetet dhe njohuritë për vendimmarrje që prekin trashëgiminë kulturore dhe memorien historike të shqiptarëve, bazuar në argumentat shkencore dhe specifika profesionale të tyre duhet të jenë vendimtare për ndryshimet e mundshme, duke mos shërbyer si fasadë për të justifikuar veprimet e njëanshme të institucioneve (strukturave) që mund të cënojnë në mënyrë të pariparueshme qendrat historike të vendit tonë, në këtë rast Bashkia e Tiranës apo dhe Këshilli i Ministrave.
xx
Për sa më sipër, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Kulturës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Këshillit Shkencor të IMK-së, marrjen e masave për përmirësimin e legjislacionit në fuqi, si dhe një sërë masash me karakter organizativ, ndërsa përsa i përket shkeljeve të konstatuara në lidhje me ndryshimin apo përcaktimin e kufijve të qendrës historike të qytetit të Tiranës, të cilat janë pasuar me ngjarjen e fundit të prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, KLSH ka paraqitur indicje penale pranë Zyrës së Prokurorisë Tiranë.