KMSH merr masa: Anulohet falja e namazit në xhamitë e vendit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka bërë publike masat e marra në kuadër të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Një nga masat e marra është që anullohet falja e namazit të xhumasë. ”Karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste. Feja Islame gjithashtu i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit. Kjo është gjithashtu edhe si një nga masat e sugjeruara nga ekspertët për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie”.

Njoftimi i plotë

Feja Islame i jep rëndësi të madhe shenjtërisë së jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Në rastet e shpërthimit të epidemive, Profeti Muhamed (a.s.) na urdhëron që ”Nëse dëgjoni se diku ka rënë epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet në një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar”. Pra, karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste. Feja Islame gjithashtu i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit. Kjo është gjithashtu edhe si një nga masat e sugjeruara nga ekspertët për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:

1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

2- Anullimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anullohet edhe falja e namazit të xhumasë.

3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.

4- Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët. Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija”. Lusim Zotin e Gjithmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

SHKARKO APP