Koalicion me PD? Shehi refuzon Berishën: Duam një trajektore për të mundur Ramën
A do të jetë PD në zgjedhje e bashkuar me aleatët? Mesa duket Jo, sepse një nga aleatët e vjetër e ka refuzuar bashkimin drejt zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në 2025. Kreu i LZHK-së, deputeti Dashamir Shehi ka refuzuar ftesën e Sali Berishës për bashkëpunim në një koalicion opozitar, duke theksuar se partia që ai drejton ka një qasje të ndryshme për luftën kundër kryeministrit Edi Rama.
Për të opozita duhet të bashkohet rreth kauzës së përbashkët për të mundur Ramën, por kjo nuk do të thotë se duhet të pranohet çdo ftesë, sidomos nga Berisha. “Ne që jemi këtu jemi të gjithë kundër Edi Ramës. Gjykojmë që kjo është beteja e opozitës, por nuk mendojmë se meqë Berisha bën një ftesë, të turremi të gjithë pas ftesës së tij”,-tha Shehi.
Për më tepër Shehi shton se LZHK-ja do të vazhdojë të ndjekë një linjë të pavarur dhe se, nëse do të ishte kaq e lehtë, do të kishin bashkuar forcat me Berishën dhe do të kishin mbyllur këtë histori. Sipas Shehit, koalicioni i thjeshtë me Berishën nuk është i mjaftueshëm për të mundur Edi Ramën. “Ne për të mundur Ramën po mundohemi të gjejmë një trajektore tjetër politike”.