Koço Kokëdhima: KÇK, policia sekrete e Ramës

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka komentuar miratimin e të ligjit për “KÇK-në”. Sipas tij ligji krijon një polici sekret, pasi gjithçka është në dorë të Drejtorit të Policisë dhe njerëzve që emërohen personalisht nga Rama dhe jo nga institucionet.

Kokëdhima thotë se termi KÇK, që Rama përdor sot  është shpikur nga ish-bankieri Artan Santo, cili stampoi edhe bluza me “Kap ç’a t’kapësh”

Kokëdhima thotë se Edi Rama e vodhi dhe e deformoi mesazhin e ish-bankierit, për të krijuar një njësi të re hetimi në Policinë e Shtetit, me po ata drejtorë, shefa dhe komisarë, në shërbim të kryeministrit që kanabizuan vendin në vitin 2016 dhe sot do të bëjnë ‘KÇK’-në, që nuk kanë mundur deri më sot.

Komenti i Kokëdhimës në Facebook:

Miku im i ndjerë, Artan Santo, e përdorte shprehjen ‘Kap ç’a t’kapësh’, për të karakterizuar, shpjeguar e përligjur sjelljet pragmatiste e jodomosdoshmërisht parimore të njerëzve të ditëve tona. Madje e stampoi ‘KÇK’-në edhe në bluza. Edi Rama e vodhi dhe e deformoi mesazhin e ish-bankierit. Ktheu në ligj që hyri sot në fuqi ‘KÇK’-në e tij, me të cilën krijoi një njësi të re hetimi në Policinë e Shtetit, e cila varet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ka Drejtorinë e Antiterrorit e Drejtorinë e Krimit të Organizuar dhe degë në 12 qarqe. ‘KÇK’-ja e tij do të veprojë jashtë sistemit të drejtësisë, me kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi informativ, që dublojnë dhe tjetërsojnë kompetencat që i janë dhënë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). ‘KÇK’-ja e Ramës do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal, nga vjedhja me armë, droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik, deri te përfituesit e buxhetit të shtetit përmes koncesioneve, PPP-ve apo subvencioneve; ajo do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit; të përgjojë biseda dhe faqe online apo të marrë informacione private pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Policia sekrete e Ramës do të jetë Policia e Shtetit. Po ajo e vitit 2016, që u bë partnere dhe hamalle e mafiozëve të kanabisit. Janë po ata drejtorë, shefa dhe komisarë, në shërbim të kryeministrit për të ‘KÇK’, çfarë nuk kanë mundur deri më sot.

SHKARKO APP