Kodheli-Lu: Shqipëria përkrah aleatit të saj strategjik në luftën kundër terrorizmit

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shprehu vlerësimin e saj për marrëdhënien e shkëlqyer mes dy vendeve tona dhe e garantoi ambasadorin Lu për vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i forcuar akoma më tej këto marrëdhënie.

Kodheli vlerësoi mbështetjen e SHBA-se për vendin tonë dhe për Forcat e Armatosura në kuadër të NATO-s dhe misioneve të përbashkëta në funksion të paqes dhe stabilitetit në botë.

Shqipëria, tha ajo, do të vijojë të jetë përkrah aleatit të saj strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe vendosjen e paqes dhe demokracisë.

Ministrja e Mbrojtjes e garantoi diplomatin amerikan se do të vazhdojë të ndjekë rrugën pozitive përballë sfidave të sigurisë.

“Ne po përmirësojmë, modernizojmë dhe po luftojmë korrupsionin”, theksoi ministrja Kodheli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqiperi, Donald Lu, u ndal tek marrëdhënia e mirë mes SHBA-se dhe Shqipërisë dhe tek miqësia mes dy popujve.

Zoti Lu nënvizoi se Shqipëria duhet të vazhdojë në të njëjtën rrugë për të arritur objektivat si vend anëtar i NATO-s dhe aleat i SHBA-se. 

SHKARKO APP