Kodheli: Mbi 20 dosje korrupsioni të Ministrisë së Mbrojtjes flenë në Prokurori
Dekorata e dhënë për Vito Kapon nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes disa javë më parë ka shkaktuar shumë polemika.
Por, ministrja Mimi Kodheli ka sqaruar për herë të parë dekorimin e Kapos. Ajo thotë se kjo çështje është më e thjeshtë se sa duket. “Me vendimin e Këshillit të Ministrave, u sanksionua që të dekoroheshin të gjithë veteranët e kategorisë ‘A’.
"U mor lista nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe aty janë veteranët e kategorisë ‘A’ që kanë pension të posaçëm. Kjo listë u konvertua në medalje. Kaq e thjeshtë”, tha Kodheli .
Ministrja shtoi se janë 1025 veteranë që marrin pension të posaçëm për meritat në luftë dhe më pas ka edhe veteranë të kategorisë “B” dhe “C”.
Ajo ndërkohë ka thënë se në Prokurori flenë mbi 20 dosje korrupsioni nga Ministria e Mbrojtjes.
“Ka akoma dosje në prokurori, në disa faza. Një ndër dosjet më të rëndësishme që ne gjatë kohës në opozitë kemi insistuar shumë është dosja e përgjimit, që vazhdon të mbetet në prokurori. Janë mbi 20 dosje që flenë apo nuk flenë në tryezat e prokurorisë, nuk janë dosje as rastësore, as të bëra në emocione e sipër”, tha gjithashtu Kodheli.